Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, duke ndaluar çdo veprim të Presidentes dhe Kuvendit deri kur masa të jetë në fuqi.
Sipas vendimit, masa e përkohshme hyn në fuqi sot dhe vlen deri më 31 mars.
“TË CAKTOJË ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës masën e përkohshme me të cilën ndalohet çdo veprim i Presidentes së Republikës Kosovës në lidhje me Dekretin nr. 24/2026 të 6 marsit 2026, si dhe të ndalojë çdo veprim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kohëzgjatjen e përcaktuar sipas pikës II të këtij Vendimi”, thuhet në vendim.
Vendosjen e kësaj mase, Kushtetuesja e ka arsyetuar duke thënë se është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës.
“Në kuptim të përcaktimeve të nenit 27 të Ligjit, Gjykata vlerëson se ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi të mëtejmë nga ana e institucioneve të lartcekura është në interes publik, i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Rrjedhimisht, Gjykata, pa paragjykuar meritat e kërkesës KO72/26 konstaton se duhet të vendoset masa e përkohshme ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës në përputhje me arsyetimin e këtij Vendimi”, theksohet në njoftim.
Osmani e shpërndau Kuvendin, përmes një dekreti të premten.
Kryeministri dhe kreu i VV’së, Albin Kurti, mbajti konferencë po atë ditë, ku e cilësoi dekretin si jokushtetues dhe njoftoi se do t’i drejtohen Kushtetueses.
Në Kushtetuese është dorëzuar edhe një lëndë tjetër, ajo mbi procedurat për zgjedhjen e Presidentit./Reporteri.net



