Kushdo që me anë të zjarrit ose me ndonjë veprim tjetër të rrezikshëm apo mjete të rrezikshme, shkakton rrezik të madh për jetën e njerëzve apo dëm të konsiderueshëm pasuror, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.
Gjatë vikendit në Kosovë ka pasur një numër të konsiderueshëm të zjarreve anekënd vendit.
Rajonet më së shumti që u përfshin nga zjarri gjatë të dielës, ishte Podujeva, Suhareka, Malisheva, Rahoveci dhe Kamenica.
Ndërkaq zëvendëskryeshefi i Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, Bekim Hoxha kishte thënë para tre dite se zjarret e fundit të pyjeve në Kosovë dyshohet të jenë shkaktuar nga dora e njeriut.
“Në këto kohë, faktori njeri është ai që po i shkakton këto zjarre nuk mundemi të presim që po ndodhin vetë ato”, deklaroi ai.
Mirëpo sipas Kodit Penal të Kosovës, Nr. 06/L-074, Neni 356 saktëson se çfarë ndodh me personat që shkaktojnë rrezik të përgjithshëm.
“1. Kushdo që me anë të zjarrit, vërshimeve, armëve, eksplozivit apo ndonjë mjeti tjetër vdekjeprurës, helmit ose gazit helmues, rrezatimit jonizues, forcës mekanike, me energji elektrike ose me ndonjë lloj energjie tjetër, ose me ndonjë veprim tjetër të rrezikshëm apo mjete të rrezikshme, shkakton rrezik të madh për jetën e njerëzve apo dëm të konsiderueshëm pasuror, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”, thotë Neni 356.
Ndërkaq Neni 322 sa i përket zjarr vënies, saktëson se personat që shkaktojnë këtë vepër penale, dënohen nga 6 muaj deri në 10 vjet burg.
“1. Kushdo që ndez zjarrin apo shkakton shpërthimin me qëllim të dëmtimit të pasurisë së personit tjetër, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet.
2. Kushdo që ndez zjarrin apo shkakton shpërthimin me qëllim të dëmtimit apo asgjësimit të banesës së banuar ose veturës në shfrytëzim nga personi tjetër, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet.
3. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni shkakton dëm pasuror në shumë prej njëzetmijë (20.000) Euro apo më shumë ose nëse vepra penale i shkakton tjetrit lëndim të rëndë trupor, kryesi dënohet me burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet.
4. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni rezulton me vdekje, kryesi dënohet me së paku me dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm”, thotë Neni 322. /gazetametro.net