Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, mori pjesë në ngjarjen që shënoi 36-vjetorin e grevës së madhe të Minatorëve të vitit 1989, në Stan Tërg.
“Në zemrën e Kosovës, në thellësinë e tokës sonë, prej dekadash rreh fuqia e një emri që simbolizon pasurinë, punën, qëndrueshmërinë dhe të ardhmen: emri “Trepça”, e nisi fjalën e tij Kurti, shkruan Arbresh.info.
Ai tha se Trepça nuk është thjesht një ndërmarrje, se ajo është shtylla e mijëra familjeve që çdo mëngjes mbështeten te puna e saj, duke krijuar një zinxhir që lidh të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë ekonomike dhe jo vetëm.
“Trepça ka ndihmuar edhe arsimin nëpërmjet zhvillimit. Pas Luftës së Dytë Botërore u themelua Shkolla e Mesme Teknike në Mitrovicë, e para e këtij lloji në Kosovë, qysh në vitin 1946, për përgatitjen e teknikëve profesionalë për Trepçën”. Në vitet 1961-’62 u hap Shkolla e Lartë Teknike në Mitrovicë, duke u futur seksionet e xehetarisë dhe më vonë të metalurgjisë dhe të kimisë e në vitin 1974 u themelua Fakulteti i Xehetarisë dhe Metalurgjisë, që u bë qendër e rëndësisë akademike për zhvillimin industrial të Kosovës”, u shpreh kryeministri.
Krahas zhvillimit të arsimit, kryeministri theksoi edhe rolin e rëndësishëm të Trepçës në zhvillimin e industrisë, si burimi kryesor i përpunimit të metaleve dhe furnitor me material bazë në dhjetë fabrika anembanë Kosovës. Historia ekonomike dhe politike e Kosovës nuk mund të kuptohet pa zhvillimin e Trepçës, tha ai, teksa listoi fabrikat që dikur furnizoheshin me material bazë nga Trepça.
Duke folur për grevën e madhe të minatorëve të vitit 1989, ai veçoi pikën 8 nga 10 kërkesat e minatorëve e cila thoshte “fati i shqiptarëve në Kosovë e në Jugosllavi të shqyrtohet në Kombet e Bashkuara”, pra të ndërkombëtarizohej çështja e Kosovës dhe shqiptare në ish-Jugosllavi në përgjithësi.
“Në thelbin e përmbajtjes së tyre, kërkesat e minatorëve ishin kërkesa politike për ta mbrojtur gjithë Kosovën nga politikat shtypëse, shfrytëzuese dhe diskriminuese të Serbisë dhe përpjekjes së saj për degradimin e statusit të Kosovës nëpërmjet suprimimit të autonomisë. E gjatë atyre tetë ditëve, nga 20 shkurti e deri më 28 shkurt 1989, horizontet 8 dhe 9 të zgafelles së Xeherores së Stan Tërgut, u patën kthyer në llogore rezistence kundër politikave antishqiptare të Serbisë dhe të Jugosllavisë. Ditën e parë që minatorët dolën nga zgafella pasi që e ndërprenë grevën, pra bëhet fjalë për 1 mars të vitit 1989, autoritetet e Serbisë e mbyllën minierën dhe i arrestuan 15 persona që u burgosën nga 14 muaj secili prej tyre. Ndërkaq, pas tri javësh, më 23 mars 1989, Kosovës iu suprimua autonomia, kundër vullnetit të popullit tonë. Dhjetë vjet pasues qenë një dekadë e rezistencës më totale, njëherë paqësore e mandej edhe e armatosur, që rezultoi me çlirimin e Kosovës më 1999 dhe pavarësimin e saj më 2008”, tha kryeministri.
Edhe sot, shtoi kryeministri, Trepça po tregon se nuk është vetëm një emër në histori, por edhe një forcë e gjallë për zhvillimin tonë, teksa me hapa konkret po e rimerr vendin që i takon në ekonominë tonë. Për herë të parë pas shumë vitesh, prona të rëndësishme janë rikthyer në menaxhimin e duhur. Që nga ky muaj, 2,133 prona me 12.6 km² sipërfaqe tokë janë kthyer në emër të Trepçës pasi që kanë qenë të shpërndara merreni mend në 273 emërtime të ndryshme. Përpos pronave të Trepçës që janë keqpërdorur më herët nga të tjerët, edhe nevojat operacionale të ndërmarrjes janë menaxhuar nga të tjerë, tash për herë të parë, punonjësit e ndërmarrjes i menaxhojnë vetë pagat, ashtu si po i përmirësojnë proceset e brendshme, transparencën financiare dhe kontrollin mbi asetet e saj. Në Stan Tërg, muajin e kaluar minatorët e Trepçës kanë rritur eksploatimin e xehes për 78% krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar – pra nga 7,200 ton në 12,800 ton.
Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se minatorët i dolën në mbrojtje të drejtës së Kosovës për vetëqeverisje. Me qëndresën e tyre ndaj Serbisë pushtuese, shpërfaqën themelet e lirisë e demokracisë dhe ato mbështeten mbi dashurinë ndaj atdheut, mbi punën e ndershme dhe kujdesin e vazhdueshëm ndaj pasurisë së popullit./Arbresh.info/