Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohet të enjtën e javës që vjen me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borell.
Këtë për Gazeta Metro e ka konfirmuar edhe zyrtari për media i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe politika të sigurisë, Zoi Muletier, i cili ka folur edhe rreth natyrës së takimit midis Kurtit dhe Borrell.
Nga BE kanë thënë se nuk mund të zbulojnë agjendën e takimeve të tjera të Kurtit, veç asaj se takimi me Borrell do të zhvillohet në funksin të vendosjes së kontakteve të punës për bashkëpunim midis Bashkimit Evropian dhe Kosovës.
“Shumë faleminderit për pyetjet tuaja. Sidoqoftë, nuk na takon neve të informojmë për agjendën e partnerëve tanë kur ata udhëtojnë jashtë vendit. Ajo që mund të konfirmojmë është se ne ftuam kryeministrin Kurti për një vizitë dypalëshe përuruese në Bruksel pasi ai u emërua si kryeministër i ri, për të vendosur kontakte pune dhe për të diskutuar bashkëpunimin mbi marrëdhëniet BE-Kosovë. Përfaqësuesi i lartë i BE-së (Borell) do ta takojë atë të enjtën.”, thuhet në përgjigjen e BE-së, për Gazeta Metro.
Vizitën e Kurtit në Bruksel e ka konfirmuar edhe Zyra e kryeministrit.
“Kryeministri Albin Kurti do të ketë një vizitë zyrtare në Bruksel kah mesi i javës së ardhshme ku do të takohet me përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian. Nuk do të ketë takim mes kryeministrit Kurti dhe zotit Vucic”, ka thënë drejtoresha për komunikim në Zyrën e Kryeministrit, Valbona Mehmeti të mërkurën.
Bashkimi Evropian ka kërkuar në vazhdimësi nga Kurti pas ardhjes së tij në krye të qeverisë së Kosovës rifillimin e dialogut me Serbinë pa vonesa që do të çojë në njohje reciproke midis dy vendeve.
Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic po ashtu para disa ditësh ka konfirmuar se do të vizitojë Brukselin dy herë, por sa i përket rifillimit dialogut ai ka përmendur muajin maj dhe qershor.
Mbetet të shihet se çfarë do të sjellë vizita e Kurtit në Bruksel dhe nëse do të ketë sinjale për rifillimin e dialogut me Serbinë – një çështje kjo për të cilën vet Bashkimi Evropian ka kërkuar që të jetë prioritet i qeverisë së re. /gazetametro






