Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ka qenë shumë bujar me opozitën, teksa ka folur për ofertat që iu ka bërë për çështjen e presidentit.
“Nëse shkojmë në zgjedhje të reja, së paku 10 milionë euro ato kushtojnë për organizimin e tyre nga KQZ. Nëse shkojmë në zgjedhje të reja, për shkak se nuk do të funksionojë Kuvendi i Republikës, do t’i humbim dhjetëra milionë euro si shtet dhe nuk do të kemi zgjidhje nëse shkojmë në zgjedhje të reja sepse sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, e pas atyre sërish në të tjera. Meqenëse unë nuk e di se si mund t’i kemi 80 deputetë. Prandaj është e domosdoshme që të merremi vesh. Unë kam qenë shumë bujar me partitë opozitare, ne vetëm 30 orë para skadimit të afatit në mes të 5 dhe 6 marsit e kemi propozuar Konjufcën. Kemi pritur gjatë të merremi vesh me opozitën. Kur dikush thotë që nuk bën Vetëvendosja, është duke thënë që nuk bën Glauku dhe ju të gjithë e dini që opozita ka mendim më të mirë për Glaukun sesa për mua. Pse nuk e votojnë Glaukun, ose nëse nuk e votojnë Glaukun pse nuk propozuan ndonjë emër. Unë e di që nuk i kanë numrat as për të aplikuar, se për të aplikuar një kandidat për president duhen 30 nënshkrime. Po, nëse do të bëheshin këto bashkë do ta kishin një kandidat, le t’i përdorin kriteret që i përdorin për neve, një kandidat jashtë skenës politike aktuale dhe le të ecim përpara.
Thjesht nuk po më duken të gatshëm dhe të interesuar për marrëveshje, dhe ky është një dëm i madh për shtetin. Të gjitha këto zhurmat e piskamat që i dëgjoni me ankesa të paarsyeshme ndaj VV-së, nuk janë duke na bërë dëm neve, se prapë ne po mbërrijmë aty, janë duke i bërë dëm shtetit”, tha Kurti para mediave.
“Rezultatin e zgjedhjeve nuk e ndryshojmë dot, besoni po del që nuk kanë problem me mua por me popullin, ama do të duhej të reflektojnë se si u bë që dy partitë më të vjetra, njëra ra në 22 deputetë, e tjetra në 15. Në vend se ta analizojnë situatën drejt e vullnetin e popullit ta pranojnë, këta jo bën ky, kjo s’bën ai”, shtoi ai.




