9.4 C
Mitrovice
E premte, 13 Mars, 2026

Kurti për heqjen e fusnotës: Pranvera po vjen më herët, u shkri si fjollë bore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u deklarua pas vendimit të Komitetit Europian të Rajoneve për të hequr nga përdorimi fusnotën mbi emrin “Kosova”.

“Duket që sivjet pranvera po vjen më herët dhe, siç u tha atëbotë, fusnota do të shkrihet si një fjollë bore. Ndoshta ishte gabim viti dhe qeveria. Por kjo po ndodh. Natyrisht që kemi ende trashëgimi të keqe nga ajo kohë dhe nuk do të duhej të entuziazmohemi tepër”- tha Kurti për media më 13.03.2026.

Kurti fajësoi qeveritë e kaluara, që sipas tij problemet po i hasin në Bruksel për shkak të trashëgimisë që kanë lënë ato.

“Pengesat, problemet, sfidat, vështirësitë kryesore që i kam pasur gjatë negociatave në Bruksel vijnë pikërisht prej trashëgimisë së mbrapshtë që na kanë lënë qeveritë pararendëse”- shtoi ai.

Kurti ka shpresën që Kosova mund të avancohet në statusin e saj gjatë Presidencës së Irlandës që fillon prej 01.07.2026.

“Ne po punojmë me krejt çfarë dimë e mundemi, me shumë zell dhe durim që ato të eliminohen. Unë besoj që në Bruksel është atmosfera pozitive që Kosova të bëjë hapa përpara dhe dy hapat më të rëndësishëm në vijim janë pyetësori prej Komisionit Europian dhe statusi i vendit kandidat”– shtoi ai.

Komiteti i Rajoneve i Bashkimit Europian, në opinionin e tij më të fundit mbi Paketën e Zgjerimit të BE-së 2025 për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, ka vendosur që në dokumentet dhe komunikimet publike të ndërpritet përdorimi i emërtimit “Kosovë” me asterisk (*), dhe të përdoret thjesht “Kosovë”.

Komiteti Europian i Rajoneve është organ këshillimor i BE-së që përfaqëson zërin e rajoneve dhe qyteteve të Europës.Dokumenti i parë i BE-së me fusnotë është paraqitur më 28.02.2012, nga takimi i Këshillit të Bashkimit Europian.

Në vitin 2012 në Bruksel në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit u arrit një marrëveshje përmes së cilës Kosova prezantohet me fusnotë në prezantime ndërkombëtare. Me fusnotë Kosova prezantohet në nisma rajonale që nga 24.02.2012 si rezultat i një marrëveshjeje në dialogun Kosovë-Serbi.

Me këtë fusnotë ishte pajtuar atëkohë edhe ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërkaq ishte refuzuar nga atëkohë opozita nën arsyetimet se e dëmton shtetësinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Kjo marrëveshje nënkuptonte pozicionin e palëve karshi statusit të Kosovës, përkatësisht pozicionin e Serbisë në përputhje me Rezolutën 1244 dhe pozicionin e Kosovës që mbështetet në opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës./kallxo.com

TË FUNDIT

TË FUNDIT