Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje ende qëndron pas emrit të Prof. Bekim Sejdiut si kandidat për president të Kosovës, duke thënë se tërheqja e tij ishte e lidhur me zhvillimet pas shkeljes së marrëveshjes politike.
Kurti tha se Sejdiu ishte tërhequr pasi, sipas tij, gjashtë deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kishin braktisur marrëveshjen, ndërsa nuk ishte zbatuar as dakordimi për Çebesa dhe vendimi i Kryesisë së LDK-së.
“Sa i përket kandidatit, ne e kemi kandidatin. Kandidati është Prof. Bekim Sediju nga Marrëveshja. Pra, Prof. Bekim Sediju është tërhequr kur Marrëveshjen e kanë shkelur e braktisur 6 deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pra, ishte një vendim i kushtëzuar i tij nga situata që u shkaktua pas mosbatimit edhe të dakordimit tonë për Çebesa, edhe të vendimit të kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nga pikëpamja e Lëvizjes Vetëvendosje, ne kemi Marrëveshje politike, dhe unë besoj që duhet ta respektojmë atë. Nuk kemi emër të ri ose tjetër. Nëse ky do të jetë rasti në të ardhmen, natyrisht që do të njoftohem”, deklaroi Kurti.
Kurti kështu ka bërë të ditur se, për momentin, nuk ka një emër tjetër të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për postin e presidentit dhe se partia vazhdon ta konsiderojë marrëveshjen politike si bazë për zgjedhjen e presidentit.



