8.7 C
Mitrovice
E martë, 1 Prill, 2025
spot_imgspot_img

Kurti: Pa gjakun e dëshmorëve dhe martirëve, Kosova nuk do të çlirohej

Me rastin e 26-vjetorit të masakrës në Milloshevë të kryer nga forcat serbe, kryeministri Albin Kurti, bëri homazhe pranë lapidarit të katër anëtarëve të familjes Morina, në oborrin e Shtëpisë së Kulturës, te pllaka përkujtimore e familjes Morina nga fshati Hade.

Në këto homazhe, kryeministri tha se sot shënojmë 26-vjetorin e vrasjes së katër anëtarëve të familjes Morina: veprimtarit Fejzullah Morina dhe tre djemve të tij, ushtarit të UÇK-së, Lavdim Morina, si dhe dy fëmijëve, Fidaim Morina dhe Shkëlzen Morina.

Kryeministri Kurti, kujtoi se 13% e të vrarëve gjatë luftës në Kosovë kanë qenë fëmijë, tha ai, duke kujtuar të rënët e kësaj masakre, Fidaimin 14 vjeç dhe Shkëlzenin 10 vjeç.

“Pra, pothuajse çdo i shtati i vrarë në luftën e fundit të viteve 1998/1999 ka qenë fëmijë.”, përmendi më tej kryeministri.

Për t’i përkujtuar më denjësisht fëmijët e vrarë nëpër gjithë Kosovën, Qeveria e Republikës së Kosovës, nëpërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të ngrisë memorialin qendror në shenjë nderimi dhe kujtimi për të gjithë fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë ashtu që përtej datave të përvjetorëve të rasteve të përveçme dhe përtej vendeve gjithandej Kosovës ku janë vrarë gjithë këta fëmijë, ata të mund të kujtohen denjësisht edhe me një memorial të përbashkët.

“I përjetshëm qoftë kujtimi për Fejzullah, Lavdim, Fidaim dhe Shkëlzen Morinën, sepse pa gjakun e tyre, e të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit tonë, Kosova nuk do të mund të çlirohej, nuk do të mund të pavarësohej, e sot nuk do ta kishim zhvillimin e demokracinë”, u shpreh kryeministri, shkruan Reporteri.net.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuar familje Morina,
I nderuari Zyber,

Të dashur banorë të fshatit Milloshevë, banorë të fshatit Hade dhe qytetarë të fshatrave të Komunës së Obiliqit, Kastriotit,

Gjithandej vendit tonë Kosovës, ka lokacione të shënjuara me komplekse memoriale, me lapidarë e me pllaka përkujtimore për shënjimin e vendeve ku janë vrarë apo ekzekutuar mijëra civilë gjatë luftës, apo edhe ku janë kryer masakra dhe krime të tjera në Kosovë nga shteti i Serbisë. Data 30 mars, që sivjet ka qëlluar të jetë Ditë Bajrami, na përbashkon këtu në oborrin e Shtëpisë së Kulturës, te pllaka përkujtimore e familjes Morina nga fshati Hade. Por, edhe e familjes Aliu të cilëve me 17 maj, pra pas një muaj e gjysmë gjithashtu do t’i përkujtojmë për sakrificën e tyre.

Tash 26 vjet pas luftës në Kosovë dhe çlirimit përkujtojmë katër anëtarë të familjes Morina: veprimtarin Fejzullah Morina, si prind, dhe tre djemtë e tij, ushtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lavdim Morina, si dhe dy fëmijë, Fidaim Morina dhe Shkëlzen Morina.

Ata ranë për lirinë e Kosovës, secili sipas moshës dhe detyrës së kërkuar nga koha e luftës. Duke e parë moshën e Fidaimit dhe Shkëlzenit, njëri 14 vjeç e tjetri 10 vjeç, le të kujtojmë që 13% e të vrarëve gjatë luftës në Kosovë kanë qenë fëmijë. Pra, pothuajse çdo i shtati i vrarë në luftën e fundit të viteve 1998/1999 ka qenë fëmijë.

Qeveria jonë pikërisht për këtë arsye e ka ideuar një projekt nëpërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të rezultojë me ngritjen e një memoriali qendror për kujtimin e të gjithë fëmijëve të cilët janë vrarë gjatë luftës. Ashtu që përtej datave të përvjetorëve të rasteve të përveçme dhe përtej vendeve gjithandej Kosovës ku janë vrarë gjithë këta fëmijë, ata të mund të kujtohen denjësisht edhe me një memorial të përbashkët.

I përjetshëm qoftë kujtimi për Fejzullah, Lavdim, Fidaim dhe Shkëlzen Morinën, sepse pa gjakun e tyre, e të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit tonë, Kosova nuk do të mund të çlirohej, nuk do të mund të pavarësohej, e sot nuk do ta kishim zhvillimin e demokracinë.

Por, gjithashtu dhe ne të gjallët kemi obligim që si breza pas tyre, ta ndërtojmë një shoqëri të lirë edhe përparuese e cila i shërben këtij brezi, por edhe brezave të ardhshëm, fëmijëve të tashëm të Kosovës, por edhe fëmijëve të cilët do të lindin në të ardhmen në mënyrë që të kenë begati, të kenë dinjitet, të kenë progres dhe asnjëherë rrezik nga askush. Prandaj, siguria, demokracia dhe zhvillimi janë tri shtyllat të cilat edhe e mbajnë larg Serbinë edhe e ngrisin lartë shtetin edhe popullin tonë.

Lavdi Fejzullahut, Lavdimit, Fidaimit dhe Shkëlzenit!

Lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit shqiptar e për hair ju qoftë festa e Fitër Bajramit të gjithëve!

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT