Gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Mynih (MSC), kryeministri i vendit Albin Kurti është takuar edhe me zëvendës-kryetarin e Fondacionit për Shoqëri të Hapur, Aleksander Soros, njëherësh djali i miliarderit George Soros, themelues i këtij fondacioni.
Ndonëse Kurti nuk ka publikuar asgjë lidhur me këtë takim, ka qenë Alex Soros ai cili e ka bërë të ditur takimin përmes një postimi në Twitter.
Në këtë postim, Soros ka theksuar se dje në takimin në Mynih me Kurtin ka diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik në Ballkanin Perëndimor.
“Takim i mirë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, për të diskutuar reformat në vazhdim dhe rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Soros në Twitter.
Në këtë konferencë pjesëmarrëse kanë qenë edhe presidentja e vendit Vjosa Osmani dhe ministrja e Punve të Jashtme, Donika Gërvalla. /Reporteri.net/