Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri i ka postuar disa fotografi nga një konferencë në Slloveni, ku folës ishte edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e organizuar nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i dyshuar për përfshirjen në në skema të shpëlarjes së parave dhe tregtimit me energji.
Në tavolinën ku Kurti ishte ulur, vërehet edhe logoja e kompanisë GEN-I, një rrjet tregtie energjetike nga Sllovenia, i shtrirë në tërë rajonin
Tahiri këto fotografi i ka ndërlidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike tani.
Sipas tij planet për :keqpërdorim dhe korrupsion në sektorin e energjisë janë të vjetra dhe të mirë planifikuara”.
“Nga konferencat me GEN-i me bazë ne Serbi, te faturat e papërballueshme të rrymës për qytetarët e Kosovës. Planet për keqpërdorim dhe korrupsion në sektorin e energjisë janë të vjetra dhe mirë të planifikuara. Ato nuk nisën dje. Qysh në mars të vitit 2016, në një konferencë në Slloveni, të organizuar me mbështetjen e kompanisë serbe GEN, Albin Kurti mbajti ligjëratë për “Kosovën në udhëkryq”. Bashkë me të, bashkëorganizator ishte edhe Martin Berishaj – sot protagonist i aferës më të madhe korruptive të shitblerjes së energjisë elektrike. Kjo nuk ishte rastësi.”, shkruan Tahiri në rrjetin social Facebook.
Ai po ashtu ka thënë se kompania GEN, me bazë në Serbi, gjatë qeverisjes Kurti përfitoi miliona nga fondet e dedikuara për sektorin energjetik të Kosovës.
“E gjithë kjo u bë përmes një rrjeti të përbashkët politik e ekonomik që sot ka sjellë pasoja të rënda për vendin. Dy dështimet më të mëdha në energjetikë mbajnë firmën e kësaj qeverie:
• Refuzimi i projektit amerikan për ndërtimin e gazsjellësit që do të lidhte Kosovën me rrjetin perëndimor. • Anulimi i ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”, një projekt jetik i mbështetur nga kompania amerikane ContourGlobal. Pasojat? Sot i paguajnë qytetarët. Me çmime të papërballueshme të energjisë. Me një jetë gjithnjë e më të vështirë. Me varfëri që thellohet dhe përgjegjësi që mungon.”, ka shtuar Tahiri.