8.1 C
Mitrovice
E hënë, 30 Mars, 2026

Kurti kundër heqjes së akcizës dhe TVSh-së për naftën: Edhe ShBA po e vuan koston e luftës në Iran

Çmimet e larta të naftës në Kosovë vazhdojnë të jenë një shqetësim i madh për qytetarët dhe bizneset, duke rritur kostot e jetesës dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në inflacion. Kjo situatë ka nxitur reagime dhe kërkesa për ndërhyrje urgjente nga qeveria.

Ndërsa partitë opozitare kanë propozuar heqjen e TVSh-së dhe akcizës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference për media, tha se këto masa nuk janë të bazuara në përvoja të suksesshme ekonomike.

Ai theksoi se Kosova nuk ka rafineri të naftës dhe nuk e përpunon vetë produktin, prandaj vendi merr komplet koston e inflacionit nga importi.

“E gjithë nafta që është në Kosovë, importohet. Ne vetëm që nuk kemi burime, por nuk kemi as rafineri të naftës, pra ne as nuk përpunojmë naftë përveç se nuk kemi naftë, në këtë mënyrë e marrim komplet koston e inflacionit në import, çmimet e larta që janë jashtë bëhen çmime ndoshta edhe më të larta këtu brenda. Ministria e Tregtisë, i ka vazhduar ato masa e ish-ministres Rozeta Hajdari dhe ajo është në komunikim të vazhdueshëm edhe me ekspertët, bindja ime e fuqishme është se këto propozimet për heqje të TVSh dhe Akcizës nuk janë mirë të menduara dhe nuk bazohen në përvoja të suksesshme apo në dije ekonomike. Është shumë e rëndësishme që të kemi kujdes të mos i shërbejmë super-profitet ndokujt në vend se t’ua zbusim barrën qytetarëve, pra gjitha vendet e Evropës dhe vetë ShBA, është duke vuajtur koston e luftës që po zhvillohet në Iran”, tha Kurti.

Edhe Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, javën e kaluar tha se heqja e TVSh-së dhe ajo e akcizës nuk mund të ndodhin.

Ajo kishte deklaruar se po mundohen që çmimet mos të rriten edhe më shumë, derisa e para e MINTI-t shtoi se ulje mund të ketë nëse kjo ndodh edhe në tregjet ndërkombëtare.

TË FUNDIT

TË FUNDIT