Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me rastin e vizitës në Bashkësinë Islame, gjatë diskutimeve me myftiun e Kosovës, Naim Tërnava, ka folur edhe për fenomenin e vrasjeve në Kosovë që janë rritur në numër javëve të fundit.
Ai ka thënë se në gjykimet e këtyre rasteve në Kosovë, ka gjyqtarë që në proces nuk shohin faktet, por “qehret” e palëve.
“Sa i përket gjyqtarëve, nga përvojat që kemi dhe informacionet që marrim, ka jo pak gjyqtarë që kur ndajnë drejtësinë nuk bazohen te provat materiale dhe dëshmitë e tjera në proces por edhe në qehret e palëve, e nuk mund të ndash drejtësi nëse në momentet vendimtare ua shikon qehret palëve.”
”Pra kush është aty më i fuqishëm, kush është më agresiv e të shohësh ta gjesh njëfarë mesi. Drejtësia e gjyqtarit nuk është mesi midis palëve, atë e bën ndërmjetësuesi në negociata”, ka thënë Kurti.
Ndryshe, në dy javët e fundit, Kosova u trondit nga 4 vrasje. Tri prej tyre ndodhën në Vushtrri, ndërsa njëra në Prishtinë.