Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se gjatë vizitës në liqenin e Ujmanit kanë parë nga afër punën që zhvillohet për mirëmbajtjen e liqenit, digave dhe infrastrukturës, si dhe punën e departamentit të ujit dhe gjenerimit deri te prodhimi i energjisë elektrike, ndërsa ka bërë të ditur se ndërmarrja “Ibër Lepenci” ka shënuar rreth 4.3 milionë euro fitim gjatë periudhës 2022–2025.
“Nga kreshta e digës së Ujmanit, e lartë 107 metra, e gjerë afërsisht 10 metra dhe e gjatë gjysmë kilometri, te hidrocentrali i liqenit më të madh të Republikës sonë, sot pamë nga afër punën që bëhet në shërbimin e mirëmbajtjes së liqenit, digave dhe infrastrukturës, e po ashtu departamentin e ujit dhe gjenerimit, deri te prodhimi i energjisë elektrike”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, ndërmarrja “Ibër Lepenci”, përmes rrjetit të kanaleve, është shumë e rëndësishme për furnizimin me ujë të industrisë, me theks të veçantë të termocentraleve në Kastriot, si dhe për bujqësinë dhe amvisërinë.
Kurti ka thënë se hidrocentrali është jetik për qëndrueshmërinë financiare të ndërmarrjes.
“Derisa ‘Ibër Lepenci’, me rrjetin e kanaleve, është tejet i rëndësishëm për furnizimin me ujë për industrinë, me theks termocentralet në Kastriot, por edhe për bujqësinë dhe amvisërinë, hidrocentrali është jetik për qëndrueshmërinë financiare të kësaj ndërmarrjeje”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, në ndërmarrjen publike hidroekonomike dhe shumëfunksionale “Ibër Lepenci” punojnë dhjetëra punëtorë të komunitetit serb dhe dhjetëra punëtorë shqiptarë.
Ai ka bërë të ditur se në kuadër të ndërmarrjes funksionon hidrocentrali me kapacitet prodhues prej 35 megavatësh, përkatësisht me dy turbina me nga 17.5 megavatë secila.
“Dhjetëra punëtorë të komunitetit serb e dhjetëra të tjerë shqiptarë punojnë në ndërmarrjen publike hidroekonomike dhe shumëfunksionale ‘Ibër Lepenci’, në kuadër të së cilës funksionon hidrocentrali me kapacitet prodhues prej 35 MW, përkatësisht me dy turbina me nga 17.5 MW secila”, ka shkruar Kurti.
Sipas Kurtit, gjatë vitit 2025 ndërmarrja ka arritur qarkullim prej 12.8 milionë eurosh, ndërsa fitimi neto, pas heqjes së zhvlerësimit, ka qenë 1.76 milionë euro.
Ai ka thënë se ndërmarrja ka dalë me fitim financiar në vazhdimësi që nga viti 2022, për herë të parë pas luftës së fundit.
“Në vitin 2025 ndërmarrja ka arritur 12.8 milionë euro qarkullim dhe fitimi neto pas heqjes së zhvlerësimit ishte 1.76 milionë euro. Ajo ka dalë me fitim financiar në vazhdimësi që nga viti 2022. Për herë të parë kjo pas luftës së fundit”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, në katërvjeçarin 2022–2025, ndërmarrja ka shënuar fitim prej rreth 4.3 milionë eurosh, ndërsa gjatë periudhës paraprake katërvjeçare, 2018–2021, kishte regjistruar 13.8 milionë euro humbje.
“Në katërvjeçarin 2022–2025, ndërmarrja ka shënuar fitim rreth 4.3 milionë euro, ndërkaq në katërvjeçarin paraprak, 2018–2021, ka pasur 13.8 milionë euro humbje”, ka shkruar Kurti.
Sipas Kurtit, nga viti 2024, “Ibër Lepenci” tregton në bursën e përbashkët energjetike Kosovë–Shqipëri, ALPEX, gjë që i ka mundësuar ndërmarrjes t’i rrisë dhe t’i stabilizojë të hyrat.
Ai ka bërë të ditur se gjatë vitit 2024 ndërmarrja ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Agjencinë Zhvillimore të Francës dhe ndërmarrjen SCP, për sigurimin e një studimi fizibiliteti.
Sipas tij, studimi përfshin modernizimin e skemës së ujitjes, rehabilitimin dhe rritjen e efikasitetit të hidrocentralit, mundësi të reja gjeneruese, si dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore.
“Në vitin 2024 ajo ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Agjencinë Zhvillimore të Francës (AFD) dhe ndërmarrjen SCP për të siguruar një studim fizibiliteti për modernizimin e skemës së ujitjes, rehabilitimin dhe rritjen e efiçiencës së hidrocentralit, mundësi të reja gjeneruese, si dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, me mbështetjen e Bankës Botërore ka nisur studimi i diligjencës për rehabilitimin e hidrocentralit, ndërsa raporti përfundimtar pritet të dorëzohet në shtator të këtij viti.
Kurti ka bërë të ditur se më pas ndërmarrja do të aplikojë për asistencë teknike për dizajnin e detajuar përmes fondit të WBIF-it.
“Me përkrahjen e Bankës Botërore ka filluar studimi i diligjencës për rehabilitimin e hidrocentralit, me ç’rast raporti përfundimtar dorëzohet në shtator, sivjet. Ndërmarrja pastaj do të aplikojë për asistencë teknike për dizajnin e detajuar përmes fondit të WBIF-it”, ka shkruar Kurti.




