7.8 C
Mitrovice
E enjte, 5 Mars, 2026

Kurti e uron Bidenin në përvjetorin e zgjedhjes si president, në mënyrë indirekte godet Trumpin dhe Grenellin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar presidentin amerikan, Joe Biden, me rastin e njëvjetorit të zgjedhjes së tij president, shkruan Mitrovica SOT.

Ai shkroi se dita e 3 nëntorit ishte ditë historike për Amerikën por edhe për botën ngase qytetarët amerikanë votuan për ndryshim.

Kurti presidentin Biden e vlerësoi lart për angazhimin e tij përgjatë viteve për mbrojtjen e aspiratave të shqiptarëve kosovarë për liri e pavarësi.

Ajo çfarë bie në sy nga postimi i Kurtit është se në këtë postim si duket ai nuk lëshoi rastin pa thumbuar, edhe pse në mënyrë indirekte, ish-presidentin Trump dhe ish-emisarin special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, pasi shtoi se fitorja e Biden është fitore për sundimin e ligjit e kundër politikanëve me synime diktatoriale.

“Përkatësisht, fitorja e presidentit Biden i dëshmoi të gjithë botës se demokracia më e vjetër në botë vazhdonte t’u qëndronte besnike disa prej zakoneve më të rëndësishme të çdo shoqërie demokratike: sundimi i ligjit kundër politikanëve me synime diktatoriale, luftimi i krimit dhe korrupsionit në të gjitha format e tyre dhe, mbi të gjitha, respektimi i vullnetit të qytetarëve, të shprehur përmes zgjedhjeve të lira e të drejta”, shkroi ndër tjerash kryeministri i Republikës.



Kujtojmë se para jo më shumë se dy ditësh deputeti i LDK-së Arben Gashi, deklaroi se Grenell u kishte dhënë afat prej 7 ditësh për ta rrëzuar Qeverinë Kurti 1.

Ndryshe, nga shumë të cilët ndjekin rrjedhn e zhvillimeve politike në SHBA, ky sulm indirekt ndaj ish-presidentit Trump dhe ish të zgjedhurit të tij për dialogun Kosovë-Serbi mund të konsiderohet i pamatur pasi dihet që aktualisht Biden nuk i ka punët mirë me popullaritet dhe Trump ka dhënë indikacione të forta se do të rikandidojë në zgjedhjet presidenciale më 2024. Disa analistë madje thonë se Trump ka gjasa të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Postimi i plotë kryeministrit:

“3 nëntor 2020 ishte një ditë historike jo vetëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por për të gjithë botën. Amerikanët votuan për ndryshim. Qytetarët e ShBA-së, aleati më i rëndësishëm i Republikës së Kosovës, zgjodhën Joe Biden si presidentin e tyre të 46-të. Sigurisht, z. Biden, edhe atëherë, nuk ka qenë i panjohur për ne: për dekada me radhë, si senator e pastaj si zëvendëspresident, Joe Biden ka qenë ndër avokuesit më të zëshëm dhe më të zellshëm për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Ballkan, e sidomos të shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit të Millosheviqit. Është fat i mirë i Republikës së Kosovës, pra, që, si president i aleatit më të rëndësishëm të shtetit tonë, është zgjedhur miku ynë i provuar për vite me radhë”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.

“Megjithatë, për vendin tonë, rëndësia dhe domethënia e zgjedhjes së presidentit Biden, s’ka qenë vetëm për shkak të avokimit të tij për të drejtat tona në të kaluarën, por edhe për atë që ka premtuar dhe simbolizuar fitorja e tij për të ardhmen. Përkatësisht, fitorja e presidentit Biden i dëshmoi të gjithë botës se demokracia më e vjetër në botë vazhdonte t’u qëndronte besnike disa prej zakoneve më të rëndësishme të çdo shoqërie demokratike: sundimi i ligjit kundër politikanëve me synime diktatoriale, luftimi i krimit dhe korrupsionit në të gjitha format e tyre dhe, mbi të gjitha, respektimi i vullnetit të qytetarëve, të shprehur përmes zgjedhjeve të lira e të drejta. Me fitoren e presidentit Biden, këto vlera i janë rikthyer jo vetëm vetë ShBA-së, por edhe politikës së jashtme të saj, duke përfshirë në veçanti marrëdhëniet me Republikën e Kosovës”, thuhet në shkrimin e Kurtit.

“Fitorja historike e presidentit Biden më 3 nëntor 2020, i ka paraprirë edhe fitores historike të Lëvizjes VETËVENDOSJE! më 14 shkurt 2021, me një program të bazuar në parimet e drejtësisë, barazisë dhe zhvillimit, një program jo shumë larg atij mbi të cilin kandidati Joe Biden ka kërkuar dhe fituar besimin e një shumice të madhe të votuesve amerikanë. Në këtë mënyrë, dy palë zgjedhjet, ato më 3 nëntor dhe ato më 14 shkurt, dëshmuan se ajo çka i lidh më thellësisht republikat tona, nuk janë interesa të ngushta gjeopolitike, por parime dhe vlera demokratike”.

“Me rastin e përvjetorit të zgjedhjes së tij, i uroj sërish presidentit Biden suksese e punë të mbarë”, ka përfunduar Kurti.

TË FUNDIT

TË FUNDIT