Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka reaguar për njohjen nga Sudani, i cili u bë shteti i 119-të që ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Reagimi i Kurtit vjen gati tri orë që kur lajmin e bëri të ditur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë takimit me kryediplomatin e Sudanit në kuadër të Forumit Diplomatik në Turqi, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kurti në urimin e tij ka përmendur presidenten Osmani për angazhimin e saj në këtë drejtim.
“Shtetit tonë iu shtua edhe një njohje e re e popullit tonë një miqësi më shumë. E mirëpresim njohjen nga shteti i Sudanit, e cila vjen disa javë pas asaj nga Kenia. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve tona shpresojmë të zgjerohet dhe fuqizohet më tej.
Urime qytetarëve të Republikës sonë dhe faleminderit Presidentit të Sudanit për këtë vendim të rëndësishëm për marrëdhënien mes dy vendeve tona, si dhe Presidentes sonë për angazhimin e saj e miqve dhe partnerëve tanë për mbështetjen e vazhdueshme”, ka shkruar Kurti.