Pas një tubimi të tensionuar në Komunën e Skenderajt, Lëvizja Vetëvendosje, të hënën, nëpërmjet një kampanje elektorale takoi edhe qytetarët edhe qytetarët e Komunës së Drenasit.
Në një fjalim rasti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, goditi sërish partitë opozitare duke thënë se bashkë me qytetarët “jemi duke i hequr qafe” duke “i pensionuar” e duke “i eliminuar” nga skena e pushtetit politikanët e partive opozitare.
Kurti pretendoi se himni i politikanëve që do të pensionohen pas Zgjedhjeve Parlamentare të 9 shkurtit nuk është “rreth flamurit të përbashkuar”, por “rreth korrupsionit të përbashkuar”.
“Ata i ka bashkuar korrupsioni, ata i ka ndarë paraja, tash janë duke u përçarë, sepse paraja nuk i bashkon njerëzit, i ndan njerëzit. Ideali e shpirti është bashkë te lëvizja jonë, që ka qeverisë mirë për katër vjet, e do të qeverisë mirë edhe për katër vjet tjera pas 9 shkurtit. Neve na bën bashkë shpirti kombëtar e ideali i dëshmorëve”, tha ai.
Kurti gjatë fjalimit tentoi të shpjegoi edhe si e sheh konceptin e patriotizmit.
“Patriotizëm do të thotë t’i qëndrosh besnik idealeve të UÇK-së, e jo të provosh të qeverisësh e të përfitosh për vete në emër të UÇK-së, pra jo në emër të UÇK-së, por besnikëri ndaj UÇK-së, kjo është parulla jonë si në opozitë dikur si në qeverisje këto katër vjet si dhe në qeverisje së paku katër vjet pas zgjedhjeve”, pohoi ai.
Kurti në Skenderaj u prit me brohoritje nga një turmë jashtë objektit, ku u zhvillua tubimi, i thirrur për në orën 17:00.
Përveç mjeteve piroteknike që u hodhën në drejtim të objektit, u dëgjuan edhe thirrjet “Thaçi – Thaçi” dhe “Albin hajni”.
Siç raportohet Policia e Kosovës intervenoi në një grup qytetarësh, të cilët kishin për synim pengimin e tubimit, duke përdorur gaz lotsjellës.
Hyrja e Kurtit në sallë u mundësua nga çadra të posaçme të dedikuara për të mbrojtur atë.
Hedhja e mjeteve piroteknike ka vazhduar edhe në momentin kur Kurti po mbante fjalim para të pranishmëve.
Zgjedhjet e rregullta parlamentare do të mbahen më 9 shkurt të dielën.
Fushata për këto zgjedhjet do të jetë më e gjatë sesa të deritashmet, meqë procesi parazgjedhor dhe zgjedhor organizohet me disa ndryshime që janë bërë në Ligjin për Zgjedhjet.
Me ligjin e ri, heshtje zgjedhore do të vlejë vetëm orët sa kutitë e votimit do të janë të hapura, ndryshe nga zgjedhjet paraprake ku fushata përfundonte një ditë para zgjedhjeve.
Gjithashtu, në këto zgjedhje qytetarët do të mund të zgjedhin 10 kandidatë për deputetë, për dallim nga zgjedhjet e kaluara ku qytetarët votonin për 5 deputetët e tyre të preferuar nga një parti politike.
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt të vitit 2021.
Ato u fituan nga Lëvizja Vetëvendosje e drejtuar nga Albin Kurti, me mbi 50 për qind.
Në bazë të rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), LVV-ja kishte fituar 438 mijë e 335 vota (50.28%); PDK-ja 148 mijë e 296 (16.90%); LDK-ja 110 mijë e 978 (12.64%) dhe AAK-ja 62 mijë e 111 vota (7.07%)./AlbanianPost