Charles Kupchan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington, thotë se vendimi i Shteteve të Bashkuara për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën, është një rezultat i drejtpërdrejtë i frustrimit të grumbulluar ndaj veprimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
“Kjo është një çështje serioze, sepse rajoni ka nevojë për më shumë angazhim nga SHBA-ja, jo për më pak”, thotë Kupchan për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se ky veprim synon të ushtrojë presion mbi udhëheqësit e Kosovës – veçanërisht mbi Kurtin – që të veprojnë në mënyrë konstruktive, të formojnë një qeveri dhe të riangazhohen në dialogun me Serbinë.
Kupchan thekson gjithashtu rëndësinë e kompromisit dhe të negociatave me mirëbesim midis të gjitha partive politike në Kosovë, për të rivendosur stabilitetin dhe për të ecur përpara.
“… kjo tregon se Uashingtoni po i ndjek ngjarjet dhe do të bëjë atë që gjykon se është e nevojshme, për të parandaluar paqëndrueshmërinë përpara se të ndodhë”, thotë Kupchan.