Kukulla “Labubu” është kthyer në një fenomen viral, duke pushtuar rrjetet sociale dhe raftet e lodrave.
Por përtej pamjes së saj të pazakontë dhe mbase të frikshme, ajo po ngjall shqetësime në rritje mes profesionistëve të shëndetit mendor. Sidomos kur bëhet fjalë për fëmijët.
Çfarë e bën tërheqëse këtë kukull për fëmijët?
Psikologia Albana Demiri për Klankosova.tv, thotë se pamja dhe ngjyrat e forta e bëjnë kukullën më tërheqëse vizualisht për fëmijët.
Ajo bëri të ditur se rastet e trajtimit nga ndikimi i kukullës “Labubu”, kanë qenë në rritje kohët e fundit.
“Pamja e veçantë dhe ngjyrat e forta. Dizajni i kukullës është i pazakontë: sy të mëdhenj, buzëqeshje e gjerë dhe karakteristika që bien menjëherë në sy. Këto elemente e bëjnë lodrën vizualisht tërheqëse për fëmijët, veçanërisht në moshat e hershme”, tha Demiri për Klankosova.tv.
Ajo shton se nga konsultimet me prindërit, ata kanë vërejtur kënaqësi por edhe shqetësime tek fëmijët, si ankth, probleme me gjumin, frikë nga errësira dhe refuzim për të fjetur vetëm.
Psikologia Demiri tha se shumë prindër nënvlerësojnë ndikimin real që mund të ketë lodra tek fëmijët.
“Shumë prindër e shohin këtë si një ‘modë kalimtare’ ose si dëshirë të pafajshme, duke nënvlerësuar ndikimin real që një lodër mund të ketë mbi përjetimet emocionale të një fëmije. Në fakt, nuk është lodra që shkakton problem, por mënyra se si fëmija e përjeton dhe ndërvepron me të”, tha ajo.
Sipas saj, konstatimet e mësipërme janë nga përvojat personale pasi për të konkluduar më bindshëm në ndikimin e kësaj lodre tek fëmijët duhet bërë studime empirike më të gjera.
Marketohet si lodër, por “Labubu” nuk është krijuar për fëmijët
Në anën tjetër, psikologia Bardha Myrtaj thotë se pavarësisht se marketohet si lodër, “Labubu” nuk është krijuar për fëmijët, por më shumë për adoleshentë dhe të rritur që janë të vetëdijshëm për simbolikën dhe estetikën e saj.
Në këtë kuptim, ajo tha se “Labubu” nuk është një kukull për të qetësuar fëmijën, por për të reflektuar emocione të brendshme tek të rriturit.
“Si psikologe, do të thosha se ajo që e bën ‘Labubu’-n ‘të frikshme’ është pikërisht ajo që na tërheq. Kur jemi rritur me pritshmëri për të qenë ‘të mirë’, ‘të qetë’, ‘të bukur’, një figurë si ‘Labubu’ na lejon të përqafojmë edhe anët tona të çuditshme, të papërsosura, madje edhe të errëta. Këtë e lidhim me konceptin e pranimit të vetes në tërësi, jo vetëm pjesët e bukura, por edhe ato që shoqëria nuk i pranon lehtë”, tha Myrtaj.
Ajo thotë se me “Labubu”, meshkujt e sotëm po sfidojnë normat e ngurta të burrërisë, duke u lidhur me ndjeshmërinë, ngrohtësinë dhe kujdesin për veten.
“’Labubu’ nuk është vetëm kukull, ajo është leje për të ndier dhe kjo tregon për një brez burrash që janë më të lirë emocionalisht dhe që po kërkojnë forma të reja të shprehjes së brendshme”, u shpreh Myrtaj.
Shitja e Labubu-së në Kosovë
Nga kërkimet që ka bërë Klankosova.tv, një kukull “Labubu” në Kosovë po shitet rreth 10-15 euro, varësisht nga shitësit apo edhe nga madhësia e saj. Madje ka edhe faqe të tilla që “Labubu”-në e shesin me 20 euro.
Fotografi nga faqet në Kosovë që sheshin kukullën “Labubu” online
Madje, tashmë janë hapur edhe faqe në rrjete sociale enkas për shitjen e kësaj kukulle.
Nga komentet që kemi veçuar, shihet se ka prej atyre që kjo lodër-kukull i shqetëson, por ka edhe të tjerë që iu pëlqen.
Përshkrimi për kukullën “Labubu” nga një faqe që shet këtë lodër
Komentet rreth kukullës “Labubu”
“Labubu” janë lodrat me pelush më në modë të momentit, të cilat janë krijuar nga ilustruesi i lindur në Hong Kong, Kasing Lung dhe shiten nga gjiganti Pop Mart.
Gjiganti Pop Mart ka shënuar fitime marramendëse prej kësaj lodre. Gjatë vitit të shkuar, fitimet globale të kompanisë u rritën me 125% ndërsa në Kinë ishin mbi 1.09 miliard dollarë ose 34% më të larta se sa në vitin 2023.
Në botë, një “Labubu” kushton deri në 85 dollarë
Media britanike “Independent”, tha se kukullat prej pelushi u krijuan nga ilustratori Kasing Lung në vitin 2015, si pjesë e grupit të tij të çuditshëm të personazheve të quajtur “Përbindëshat”.
Lodrat shiten kryesisht nga kompania kineze e lodrave “Pop Mart”, e cila ka dyqane të vendosura në të gjithë botën, përfshirë ShBA-në.
Ato nëpër botë zakonisht shiten në “kuti të verbra”, secila prej të cilave përmban një lodër të zgjedhur rastësisht, që do të thotë se nuk do ta dini se cilin “Labubu” ose ngjyrë keni marrë derisa ta hapni.
Megjithatë, Labubu nuk filloi të bëhej trend deri në vitin 2024, kur personazhi Lisa e “Blackpink” i publikoi ato në “Instagram Stories”. Të rishpërndara gjerësisht në TikTok, klipet e treguan atë duke hapur kutinë e disa lodrave “Labubu”, disa prej të cilave i përdori edhe si varëse çelësash për çanta.
Ndonëse në Kosovë kjo lodër mund të gjendet lehtë, megjithatë, gjetja e një Labubu nëpër botë nuk është një detyrë e lehtë, pasi të gjitha “Labubu”-të janë shitur zyrtarisht në faqen e internetit të “Pop Mart”.
Çmimet e “Labubu” variojnë nga 43.99 dollarë deri në 84.99 dollarë copa, varësisht nga lodra specifike. Disponueshmëria e tyre në dyqane ndryshon dhe shpesh është e kufizuar, varësisht nga vendndodhja e “Pop Mart”.
Tani për tani, nëse dikush në botë dëshiron ta ketë një lodër “Labubu”, këtë mund ta gjejë në StockX, me një çmim prej rreth 310 dollarë.