Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, së bashku me nënkryetarin Faruk Mujka, kanë pritur në një takim përfaqësuesit e Lagjes së Doktorëve, të fshatit Suhadoll në veri të Mitrovicës, Abdullah Banjska, Orhan Vidishiqi dhe Rexhep Myftari.
Në këtë takim përfaqësuesit e kësaj lagjeje kanë shprehur pakënaqësitë e tyre, lidhur me ndërprerjen e energjisë elektrike, si dhe mos largimin e rregullt të mbeturinave të cilat po krijojnë deponi në atë pjesë. Po ashtu ata theksuan se furnizimi i parregullt me energji elektrike, po bëhet me qëllim dhe është diskriminues vetëm ndaj lagjes së tyre, nga autoritetet në veri.
Me këtë rast kryetari Bahtiri ofroj mbështetjen e tij të plotë për ti ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të tyre, duke gjetur mundësinë për të siguruar një trafo, e cila do ti përmbushte nevojat për furnizim të asaj lagjeje.
Ndërsa sa i përket largimit të mbeturinave, kryetari Bahtiri potencoi se Komuna ka ndërhyrë disa herë duke i hequr ato, mirëpo ky problem do të zgjidhet në bashkëpunim me autoritetet në veri, për shkak të kompetencave të administrimit të kësaj lagjeje.