Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullah Gashi, ka konfirmuar se alarmi për bombë ka qenë i rrejshëm dhe se s’ka asgjë që vlen të përmendet nga vendi i ngjarjes.
“Kërcënimi i rrejshëm dhe deri më tani s’ka asgjë që vlen të ceket nga vendi i ngjarjes”, ka thënë ai.
Kryeprokurori ka thënë se do të vazhdojnë hetimet për thirrjen telefonike, që sipas tij u bë nga një zë mashkulli që ka folur në gjuhën angleze, me një theks “të shteteve jo mike”.
Kryeprokurori s’ka pranuar të japë më shumë sqarime se çfarë nënkupton me “shtete jo mike”
“Hetimet do të vazhdojnë për thirrjen telefonike e bërë nga një person anonim, me zë mashkulli, në gjuhën angleze, me një akcent të shteteve jo mike”, ka thënë ai.
“Këto janë informatat që i kemi, do të informoheni më tej për informata”, ka shtuar tutje ai.
E tërë kjo ngjarje ndodhi si rrjedhojë e një mesazhi për kërcënim për bombë, ku më pas deputetët u detyruan të evakuohen nga ndërtesa. Seanca do të vazhdojë në orën 20.