“Pazaret për postin e presidentit” mes partive politike po vazhdojnë të diskutohen dhe të jetë problemi kryesor pas pandemisë në Kosovë, kjo ka bërë që mos të ketë dakordim mes partive për këtë pozitë pas dorëheqjes së Hashim Thaçit.
Deri tani të gjitha partitë politike kanë shprehur preferencat dhe interesat e tyre për të marrë këtë post, mirëpo me theks të veçantë është AAK që dëshiron me çdo kusht që në këtë pozitë të vjen Ramush Haradinaj.
Ndonëse AAK’ja po dëshiron që Haradinaj të bëhet president, kjo nuk po gjen përkrahje e as mbështetje nga partitë tjera në Kuvendin e Kosovës.
Mirëpo, nënkryetari i PDK’së, Memli Krasniqi ka folur sonte për kandidaturën e Ramush Haradinajt për president dhe për votat që ai ia ka kërkuar PDK-së.
Krasniqi tha se është e pakuptimtë që Haradinaj del e kërkon vota në opozitë kur nuk e ka ende mbështetjen e asnjë partneri të koalicionit.
“Ky koncepti i Haradinajt për vota hua për mua është i pakuptimtë. Sepse sikur të vepronim ne me logjikën e votave hua duhet ti themi zotit Haradinaj a po na i kthen ato votat e vitit 2017 kur të bëmë kryeministër”, tha ai.
“Unë nuk e di, përveç që e ka nominuar partia e tij, që e mbështetë dikush tjetër. Pra kandidat i kujt është? Është kandidat i AAK-së apo është edhe kandidat i koalicionit? Qysh del me lypë vota në kojshi kur nuk i ke në shtëpi tënde njëherë? Unë nuk i kam dëgjuar LDK-në dhe partitë tjera të koalicionit që e mbështesin. E qysh mundesh me kërku vota prej opozitës kur ende s’i ke votat e koalicionit”, tha Krasniqi.//gazetametro.net