Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka numrat e nevojshëm për të formuar shumicën në Kuvend, duke lënë të kuptohet se e vetmja rrugë për të siguruar votat është një marrëveshje me Listën Serbe, shkruan Insajderi.
Krasniqi u shpreh i bindur se Kurti po kërkon mbështetje nga Lista Serbe për të arritur shumicën parlamentare.
“Nëse merren vesh me Listën Serbe, i bëjnë numrat. Nëse Elbert Krasniqi, ministër me ndikim, i shkruan Albin Kurtit dhe i thotë se i kemi katër vota të Listës Serbe, e menjëherë del Donika Gërvalla dhe reagon… ka rrezik po tentojnë me na prish imazhin”, tha Krasniqi në emisionin Pressing në T7.
Sipas tij, këto lëvizje tregojnë se qeveria aktuale është në vështirësi të thella për të siguruar shumicën e nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja.
Krasniqi paralajmëroi se PDK do të qëndrojë e palëkundur ndaj çdo tentative që, sipas tij, shkel vullnetin e qytetarëve dhe përfshin pazare politike me forca që e dëmtojnë sovranitetin dhe integritetin e vendit.