Kompania publike Operator, Sistemi, Transmisioni dhe Tregu (KOSTT) është para kolapsit financiar për shkak të kostos së lartë për pagesën e rrymës në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
KOSTT, vetëm në dy muajt e parë të këtij viti, për janar dhe shkurt, ka paguar rreth 13 milionë euro për rrymën e shpenzuar nga qytetarët serbë në katër komunat e veriut të Kosovës.
Derisa sa i përket muajit mars, kostoja financiare pritet të jetë dukshëm më e lartë se e muajt paraprak. Kostoja totale financiare për pjesën veriore të Kosovës për vitin 2021 ishte rreth 41 milionë euro.
Zëdhënësja e kësaj kompanie, Zana Bajrami-Rama, thotë për KosovaPress, se si pasojë e situatës së pazgjidhur në pjesën veriore të Kosovës, si dhe e obligimeve të pashlyera të palëve, gjendja financiare e KOSTT është jashtëzakonisht e rënduar.
Teksa thekson se nuk ka më buxhet për mbulimin e humbjeve të veriut nga energjia elektrike e shfrytëzuar por jo e paguar në patë pjesë të vendit.
“Në mungesë të buxhetit për mbulimin e humbjeve të veriut nga energjia elektrike e shfrytëzuar por jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës, aktualisht për mbulimin e këtij konsumi energjia elektrike tërhiqet në formë të devijimeve nga Sistemi Elektroenergjetik i Evropës Kontinentale. Këto devijime janë në kundërshtim me marrëveshjen e kyçjes KOSTT/ENTSO-E dhe gjithsesi paraqesin obligime financiare shtesë për KOSTT-in si zonë e pavarur rregulluese. Si pasojë e situatës së pazgjidhur në pjesën veriore të Kosovës, si dhe e obligimeve të pashlyera të palëve të treta ndaj KOSTT, gjendja financiare e KOSTT është jashtëzakonisht e rënduar. Për të gjitha devijimet e shkaktuara ndaj sistemit interkonektiv evropian, si për humbjet e veriut, ashtu edhe për devijimet e shkaktuara nga palët e treta, faturohet KOSTT si palë kontraktuese me ENTSO-E”, thotë ajo në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.
Krahas kësaj, Rama ka treguar për gjendjen e rëndë financiare në KOSTT dhe për shumën e mjeteve që ka paguar kjo kompani më 2021 dhe në muajt e parë të këtij viti për rrymën veri.
“Kostoja totale financiare për pjesën veriore të Kosovës për vitin 2021 është rreth 41 milionë euro. Kostoja për muajin janar 2022, është afër 8 milionë euro, ndërkaq për muajin shkurt 2022, është mbi 5 milionë euro. Sa i përket muajit mars, ende nuk mund të ofrohen të dhënat e sakta, por kostoja financiare për muajin mars pritet të jetë dukshëm më e lartë. Si pasojë e situatës së pazgjidhur në pjesën veriore të Kosovës, si dhe e obligimeve të pashlyera të palëve të treta ndaj KOSTT, gjendja financiare e KOSTT është jashtëzakonisht e rënduar. Deri më tani KOSTT ka menaxhuar situatën për sigurimin e operimit të përditshëm të kompanisë”, thotë ajo.
Gjithashtu, KOSTT ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë që urgjentisht të largojë nga licenca për Operatorin e Sistemit të Transmetimit, obligimin e mbulimit të humbjeve në katër komunat veriore të Kosovës ose të gjejë një mekanizëm tjetër të mbulimit të kësaj kostoje.
Kjo kompani ka kërkuar nga institucionet relevante që urgjentisht të adresohet situata e furnizimit me energji elektrike të pjesës veriore të Kosovës, si dhe nga palët e kyçura në sistemin e transmetimit, të cilat nuk kanë kryer obligimet financiare ndaj KOSTT që të shlyejnë këto obligime.
Për gjendjen e rëndë financiare në KOSTT, Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Ekonomisë nuk janë përgjigjur për KosovaPress.
Kurse, opozita kritikon qeverinë dhe partinë në pushtet për gjendjen e krijuar në KOSTT, pas rekomandimit parlamentar për pagimin e rrymës në veri.
Kryetari Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti nga Partia Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka thënë për KosovaPress, se kompania KOSTT është para falimentimit, ndërkaq, ka fajësuar qeverinë që nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.
“Ne kemi ngritur shqetësimet tona në vijë zyrtare për shkak të gjendjes së rëndë financiare që ka KOSTT dhe për shkak të pagesave në mënyrë të paligjshme që e ka obliguar qeveria dhe parlamenti me rezolutë të veçantë që të paguaj për pjesën në veri. Vetëm në muajt e fundit ka mbi 13 milionë euro, për janar dhe shkurt, dhe KOSTT sot është para falimentimit. Qeveria nuk ka bërë asnjë veprim konkret në këtë drejtim. Sinqerisht është shqetësuese. Njëra prej pikave që ne kemi kërkuar që të formohet komisioni parlamentar, ka qenë pikërisht edhe ky shqetësim i ndërmarrjes KOSTT dhe i veprimeve juridike që ka ndodhur për KOSTT dhe rreth saj… edhe në rezoluta ka pasur një afat kohorë, qeveria ka pranuar rezolutën e kuvendit, ka kaluar çdo afat ligjor i mundshëm që kjo dukuri të ndërpritet, por fatkeqësisht përgjegjësia qeveritare në këtë relacion është inegziistente dhe KOSTT po shkon drejt falimentimit”, thotë Shala.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj thekson se për kolapsin buxhetor të KOSTT-it, përgjegjëse është qeveria dhe grupi më i madh parlamentar Vetëvendosje.
Deputeti Lekaj, urgjentisht kërkon nga qeveria që të zgjidhet çështja e faturimit në veri.
“KOSTT gjendet para një kolapsi buxhetor, ndërsa ne kemi paralajmëruar me kohë. Edhe pse është një vendim i parlamentit të Kosovës që ka qenë për gashtë muaj dhe ne kemi marrë edhe një shkresë nga KOSTT-i që të kemi kujdes, sepse ata më nuk kanë mundësi buxhetore për të paguar rrymën që e shpenzojnë qytetarët në veri të Kosovës dhe nuk e paguajnë. E kemi thënë edhe në fillim, që është e padrejtë për qytetarët tjerë, që të bëhet pagesa në këtë mënyrë dhe ne kemi kërkuar që të bëhet një zgjidhje urgjente që të rregullohet kjo çështje… Ne insistojmë që urgjentisht të zgjidhet kjo çështje. Pothuajse qeveria është e heshtur. Prandaj, ka qenë e padrejtë që të ngarkohet KOSTT-i për shlyerjen e borxheve. Ne si opozitë do të insistojmë që kjo barrë t’i takojë qeverisë apo të bëhet një zgjidhje politike”, thekson ai.
Më 6 maj 2021, me 61 vota pro, pa praninë e deputetëve opozitarë, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi lidhur me kërkesën e kompanisë KOSTT për të siguruar 11 milionë euro për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës. Ndër rekomandime ishte që Qeveria e Kosovës obligohej të gjente zgjidhje brenda afatit 6-mujor për të shtrirë sistemin e faturimit në komunat veriore.