Zëvendësministrja në detyrë e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, mbrëmë deklaroi se qytetarët e Kosovës s’kanë pasë “kurrë më shumë para” sesa sot.
“Ju po merrni disa produkte të cilat juve po ju konvenojnë për narracionin që po doni me e shtru. Por fakt është që qytetari i Kosovës kurrë ma shumë pare s’ka pasë. Sot, qytetari i Kosovës ka pare më shumë se që ka pas para 10 viteve. Është shumë fakt kjo”, tha ajo tha mbrëmë në Pressing të T7.
Kësaj deklarate sot i reagoi Vlora Çitaku e PDK-së, e cila tha se ajo ndoshta e ka pasë fjalën për Martin Berishën e Nagip Krasniqin.
Çitaku përmendi shumë kategori shoqërore për të cilat tha se kanë vështirësi financiare.
“Po, para sot më shumë kanë vetëm: mafia energjetike, Martini, Nagipi & co. Populli jo. Kosova jo. Dhe këtë e dinë të gjithë”, shkroi ajo.
Postimi i saj i plotë:
Kosovarët, tha, kurrë nuk kanë pasur më shumë para se sot.
Ndoshta e ka pasur fjalën për Martinin e Nagipin.
Se për pensionistët, që çdo muaj duhet të zgjedhin mes barnave dhe ushqimit, nuk foli.
As për mësimdhënësit, që mezi e përmbyllin muajin.
As për mjekët, që sot s’kanë as tretës për pacientët e tyre.
As për policët, të cilëve po u ndalen edhe shujtat.
As për ndërmarrësit e rinj, që luftojnë të paguajnë faturat e energjisë elektrike.
Po, para sot më shumë kanë vetëm:
mafia energjetike, Martini, Nagipi & co.
Populli jo.
Kosova jo.
Dhe këtë e dinë të gjithë.



