10 C
Mitrovice
E mërkurë, 29 Prill, 2026
spot_img
spot_img

Kosova rrezikon edhe një padi në arbitrazhin ndërkombëtar

Kosova rrezikon edhe një padi në arbitrazhin ndërkombëtar. Pas hapjes së njoftimit për dorëzimin e ofertave mbi ekzekutimin e punimeve në rrugën nacionale Prishtinë-Mitrovicë, kompania “Pevlaku & Patishta” që i është shkëputur kontrata muaj më parë, ka paralajmëruar ndjekjen e rrugëve ligjore për kompensim të dëmit.

Nga kompania kanë thënë për KOHËN se kontrata është shkëputur në mënyrë të kundërligjshme nga Ministria e Infrastrukturës dhe se këtij dikasteri i është kërkuar që të anulojë vendimin.

“Fatkeqësisht Ministria tani si duket ka shpallur tender dhe kërkon kontraktor të ri. Ky veprim është tërësisht i paarsyeshëm, por Ministria bart përgjegjësinë për veprimet e saj. Kurse të drejtat tona do t’i ndjekim përmes rrugës ligjore për kompensim të dëmit, ashtu sikur e kemi informuar Ministrinë përmes shkresës”, është thënë nga kompania.

Shkëputja e kontratës, sipas zyrtarëve të Ministrisë u bë shkaku i vonesave në punime. Por kompania fajin për vonesa ia ka hedhur Ministrisë, duke thënë se ajo është vonuar me shpronësime.

“Lidhur me kontraten ‘Zgjerimi i rrugës Nacionale N2 Prishtine – Mitrovice’, kompania jonë iu është përmbajtur afateve kohore si dhe kushteve kontraktuale. Ndërsa, Ministria e Infrastrukturës nuk i ka kryer obligimet e saj kontraktuale, gjegjësisht përfundimin e procedurave të eksproprijimit. Ne nuk kemi mund t’i kryejmë punimet pa përfundim të këtyre procedurave nga ana e Ministrisë”.

E në Ministrinë e Infrastrukturës nuk janë përgjigjur gjatë së martës lidhur me akuzat dhe paralajmërimet e kompanisë.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në një emision në KTV në fund të shkurtit, pati cekur si arsye për shkëputjen e kontratës edhe kontraktimin e operatorëve të paligjshëm.

“Ne kemi kërkuar që të legalizojë kontraktorët ilegal, pasi as kompania nga Shqipëria e as kompania nga Bullgaria nuk ka qenë këtu me fuqinë e tyre punëtore, por kanë kontraktuar kompani vendore të cilat nuk kanë qenë pjesë e kontratës”, kishte deklaruar ai.

Por, sipas kompanisë, nuk ka pasur operatorë të paligjshëm dhe se ata u janë përmbajtur kushteve kontraktuale.

Rruga që do të ketë gjatësi 9.78 kilometra, me katër korsi, do të kushtojë rreth 30 milionë euro. Procedurat e prokurimit do të kryhen nga Fondi OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, në bashkëfinancim me Fondin Saudit për Zhvillim, që janë edhe financues të projektit.

Kosova ka humbur disa raste në arbitrazh, të fundit ndaj Contaur Global për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re”./koha.net

TË FUNDIT

TË FUNDIT