Resurset demografike paraqesin një nga segmentet më domethënëse dhe më të rëndësishme të zhvillimit shoqëror në tërësi. Potenciali demografik i një vendi vlerësohet në varësi të vëllimit dhe karakteristikave strukturore të popullsisë (biologjike, ekonomike, arsimore etj.) në një moment të caktuar siç është momenti i regjistrimit të popullsisë.
Regjistrimi i popullsisë i vitit 2024, në Kosovë synim parësor kishte përcaktimin e të dhënat për numrin dhe shpërndarjen hapësinore të popullsisë, i cili tregon se Kosova po përjeton transformim të thellë demografik duke hapëruar drejt krizës demografike sidomos në sferën e emigrimeve- norma shumë e lartë e emigrimit, lindshmërisë- zvogëlimi i shpejtë lindshmërisë dhe strukturën e popullsisë sipas moshës- drejt moshimit demografik e për të cilën shqetësimet janë ngritur të paktën që një dekadë por që fatkeqësisht kanë hasur dhe po has në vesh të shurdhët.
Megjithatë, tre nga faktet te cilat u vërtetuan edhe nga regjistrimi i popullsisë 2024 me pasoja dhe me ndikim negative në të gjitha sferat e jetës në Kosovë duke përfshi edhe te ardhmen dhe sigurinë e saj, e të cilat fatkeqësisht po zhvillohen pa kurrfarë vëmendje nga institucionet përgjegjës është fakti se Kosova numerikisht po tkurret (zvogëlohet), po zbrazet dhe po plaket.
Po çfarë tregojnë të dhënat e Regjistrimit të popullsisë 2024
Kosova po tkurret (zvogëlohet)- rezultatet e para të publikuara të Regjistrimit të popullsisë të vitit 2024 tregojnë se që nga regjistrimi i fundit i vitit 2011, numri i përgjithshëm i popullsisë në Kosovë është ulur me 154.259 banorë. Meqenëse në të dy rastet, regjistrimi i popullsisë ishte bojkotuar nga 4 komunat veriore në bazë të parashikimeve të ASK për numrin e banorëve ku përfshihen edhe 4 komunat veriore numri i përgjithshëm i popullsisë në Kosovë është ulur me 177.506 banorë. Pra në raport me vitin 2011 në vitin 2024, Kosova ka humbur 9% në rastin e pare dhe 10% në rastin e dytë të popullsisë së përgjithshme. Shprehur figurativit, në trembëdhjete vitet e fundit, Kosova ka humbur aq banorë sa numri i banorëve në tre komunave relativisht të mëdha – Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj së bashku.
Me këtë rast është me interes të shihet se si në aspekt hapësinorë është shpërndarë rënia e popullsisë në komuna ose të konstatohet se në cilat komuna është rritur numri i banorëve dhe sa është rritja.
Në periudhën në mes dy regjistrimeve të popullsisë 2011-2024 shpopullimi është i pranishëm pothuajse në të gjitha komunat dhe zonat e Republikës së Kosovës. Këtë më së miri e mbështet fakti se nga 38 komunat e Kosovës , 76.3% (29) të tyre karakterizohen me rënie të numrit të popullsisë ndërsa vetëm 23.7% (9) karakterizohen me rritje të popullsisë nga të cilat 8% (3) mund të kategorizohen si komuna me stagnim të popullsisë. që do të thotë se kanë rritje shumë të ulët.
Komunat me rritje të popullsisë, përjashto Prishtinën dhe Fushë Kosovën janë komunat me numrin më të vogël të banorëve si : Parteshi, Kllokoti, Shterpce dhe Graqanica. Rritja e popullsisë në këto komuna mundë të jetë edhe si pasoj e përfshirjes më të madhe të popullsisë ne regjistrimin e vitit 2024 në raport me atë të vitit 2011. Komuna e Ferizajt, Obiliqit, dhe Mamushes mund të kategorizohen si komuna me stagnim të popullsisë ku rritja e popullsisë lëviz në mes 1-5%.
Komunat tjera (29) karakterizohen me zvogëlim të popullsisë e cila arrin deri në përgjysmim të numrit të banorëve siç është rasti me komunën e Zveçanit (- 61% ) dhe Zubin Potokut ( -49%). Gjithashtu edhe komunat tjera karakterizohen me zvogëlim të konsiderueshëm të popullsisë ku zvogëlim në mes: 30-39 %, kishin 7 komuna (Deçani, Leposaviqi, Novo Bërda, Juniku, Ranillugu, Mitrovica Veriore dhe Kamenica); 20-29 %, kishin 7 komuna (Malisheva, Vitia, Suhareka, Skenderaj, Podujeva, Rahoveci dhe Klina); 10-19 %, kishin 11 komuna (Gjakova, Gllogoci, Gjilani, Dragashi, Istogu, Kaçaniku, Mitrovica, Peja, Prizreni, Shtimja dhe Vushtrria) dhe 0-9 % kishin 2 komuna: Hani i Elezit dhe Lipjani.
Për trendin e përshpejtuar të tkurrjes së popullsisë së Kosovës më së miri e vërteton fakti se edhe komunat me qendrat regjionale karakterizohen më zvogëlim të popullsisë siç është rasti me : Prizrenin, Pejën, Mitrovicën Gjakovën dhe Gjilanin.
Kosova po zbrazet- sikur edhe në shumë vende të botës, edhe në Kosovë statistikat e emigrimeve janë jo të plota sepse shumë banorë nuk e çregjistrojnë vendbanimin e tyre në Kosovë përpara se të largohen ose e bëjnë këtë shumë kohë pas shpërnguljes. Megjithatë, edhe të dhëna të tilla të mangëta tregojnë se në periudhën 2011-2022 jashtë shtetit janë shpërngulur rreth 350 mijë banorë, numër ky shumë i lartë.
Se emigrimet kanë marr përmasa shqetësuese e dëshmon edhe fakti se gjatë periudhës 11 vjeçare Kosovën e kanë braktisur mesatarisht brenda vitit rreth 32 mijë banorë ndërsa gjatë vitit 2021 dhe 2022 mesatarisht brenda ditës Kosovës e kanë braktisur rreth 119 persona ose çdo 12 minuta 1 person. Me fjalë të tjera Kosova në periudhën 2011-2022, për çdo vit nga emigrimet ka humbur popullsi e një komunë me madhësinë e komunës së Istogut.
Edhe më shqetësues është fakti se bazuar në sondazhe të ndryshme të realizuara në vend, rreth 60% e të anketuarve kanë shprehur dëshirën të ikin nga Kosova kryesisht gjenerata të reja 20 deri në 40 vjet të cilët përbëjnë rreth gjysmën e numrit të emigrantëve dhe të cilët përbejnë kontingjentin kryesor demografik dhe lindshmërisë, kontingjentin e punës, te sigurisë etj., duke shkaktuar rënie te “kapitalit human”, si bartësin kryesor të zhvillimit socio-ekonomik. Prandaj vazhdimi i largimit masiv nënkupton që Kosova humb jo vetëm fuqinë punëtore, por edhe brezat të të rinjve që do të kontribuonin në zhvillimin e përgjithshëm të vendit.
Edhe përkundër faktit që Kosova ballafaqohet me fluks shumë të lartë të emigrimeve, më shumë se gjysma e qytetarëve të Kosovës (55.4%) pajtohen se emigrimet do të kenë ndikim negativ për zhvillimet e ardhshme në vend, 15.3% pajtohen se nuk do të ketë asnjë ndikim, 16.9% se nuk e dinë se çfarë ndikimi do të kenë, ndërsa vetme 11.6% pajtohen se emigracioni do të ketë ndikim pozitiv .
Duke pasur parasysh ecurinë e gjertanishme por edhe atë që pritet në zhvillimin ekonomik, mundësitë e punësimit dhe rrethanat tjera te pavolitshme edhe për një kohë duhet të priten lëvizje migruese të popullsisë me intensitet të pa zvogëluar. Fatkeqësisht institucionet e Kosovës kanë bërë shumë pak në adresimin e faktorëve nxitës të emigrimit siç janë: zhvillimi ekonomik, papunësia, perspektiva për një jetë më të mirë dhe të sigurtë, më të dinjitetshme etj.
Pasojat e emigrimit manifestohen në të gjitha segmentet e jetës: a) demografike (madhësinë e popullsisë duke shkaktuar humbjen e asaj pjese të popullsisë, e cila përbën potencial zhvillimi, nivelin e lindjeve, rritjes natyrale së popullsisë dhe strukturat e popullsisë- demografike, ekonomike, sociale, etnike etj., përcjell kjo me shpopullim natyror, emigracionin e trurit, plakjes të popullsisë etj ; b) socio- ekonomike (rritjes së ulët e PBB-së për kok banori, ngadalësimi i rritjes ekonomike, humbjen e fuqisë punëtore, ulja e konkurrencës dhe ndikimi negativ në sistemin shoqëror dhe pensionet, emigrimin e personave të kualifikuar etj); c) për sigurinë e vendit (në shekullin XXI, koncepti i “sigurisë” është transformuar shumë dhe nuk barazohet vetëm me sigurinë ushtarake, por përfshin edhe lloje të tjera, të tilla si siguria demografike, ekonomike, ekologjike, politike dhe lloje të tjera të sigurisë); d) në sistemin arsimor (zvogëlimi i numrit të nxënësve dhe studentëve ne te gjitha nivelet e arsimit) etj.
Emigrimet e çerekut të parë te shekullit XXI janë valët më të pafavorshme të emigrimeve deri tani. Ky trend po zhvillohet në rrethana të reduktimit të lindshmërisë, rënies së shtimit natyror, me tendenca te rënies të numrit të përgjithshëm të popullsisë dhe procesit të përshpejtuar të deformimit të strukturave te popullsisë sidomos asaj sipas moshës drejt plakjes së popullsisë.
Fatkeqësisht në Kosovë si pasojë e mungesës së politikave të mirëfillta ndaj diasporës, sot për sot, emigrimet dhe diaspora, më tepër mund të konsiderohen si humbje dhe kërcënim, se sa pasuri dhe partner edhe pse në realitet diaspora është pasuri shumë e çmuar në themelimin e vet shtetit të Kosovës.
Kosova po plaket- se Kosova po përballet me fenomenin e moshimit demografik më së miri e tregon fakti i rritjes së moshës mesatare të popullsisë e cili në vitin 2011 ishte rreth 29 vjet për të arritur në rreth 35 vjet në vitin 2024. Kjo rritje e moshës mesatare te popullsisë por edhe indikatorët tjerë (te cilët dot të trajtohen ne vazhdim) te cilët tregojnë se moshimi demografik i Kosovës i shkaktuar në radhë të par nga emigrimi masiv, rënia e lindshmërisë por edhe nga rritja e jetëgjatësisë do ta ndryshon rrënjësisht mënyrën se si jetojmë, punojmë dhe ndërtojmë të ardhmen tone.
Rënia shumë e shpejt e shtimit natyror dhe emigrimet selektive (grup moshat 20-39 vjet përbëjnë afër gjysmën e emigrantëve), kanë përshpejtuar procesin e plakjes së popullsisë. Kështu, deri sa në vitin 2011 grup moshat mbi 60 vjet përbënin 9.6% te popullsinë, në vitin 2024 kjo pjesëmarrje u rrit në 16.1% . Në të njëjtën kohë grup moshat 0-19 vjet, kanë treguar tendencë te zvogëlimit të pjesëmarrjes nga 38.1% në 29.7%.
Se popullsia e Kosovës po plaket e dëshmon edhe fakti i rritjes së popullsisë sipas grup moshave ne periudhën 2011- 2024, ku grup moshat e reja 0-19 vjet treguan tendencë të zvogëlimit për
– 25.9%, grup moshat 20-59 vjet zvogëlim për -5.2%, ndërsa vetëm grup moshat mbi 60 vjet kanë treguar rritje për 49.7% ( është dyfishuar ). Në favor të këtij fakti shkon edhe e dhëna se në raport me vitin 2011, në vitin 2024 te gjitha grup moshat nga 0 deri 39 vjet kanë treguar tendencë të zvogëlimit, grup moshat 40-44 vjet kanë stagnuar me tendencë zvogëlimi ndërsa të gjitha grup moshat mbi 45 vjet kanë treguar rritje ku grup moshat më të vjetra kanë shënuar rritje shumë më të shpejtë. Plakja e popullsisë përcillet me pasoja negative për zhvillimet demografike, ekonomike, sociale etj.
Për të parandaluar plakjen e popullsisë për shkak të mbizotërimit të moshave të reja në flukset migratore, është i nevojshëm dekurajimi i emigrimit të jashtëm të popullsisë në moshë të re, nëpërmjet përmirësimit të kushteve, mundësive, aksesit dhe integrimit të të rinjve në formimin profesional, arsimin profesional, arsimin universitar në degë të kërkuara nga tregu dhe në tregun e punës.
Krahas tendencave dhe pasojave shqetësuese negative demografike të sotme, trendët e emigracionit të fundit po rrisin gjithnjë e më tepër ndikimin dhe në sferat tjera të jetës si p.sh., tregun e punës, destabilizimin e sistemeve arsimor dhe shëndetësor e në vitet në vazhdim do të përcillet edhe me destabilizim të sistemit ekonomike, sociale, pensionale etj., për një kohë të gjatë. Në stade afatgjata struktura e vjetër e fuqisë punëtore, shtimi natyror negativ, largimi i të rinjve nga Kosova, do të kërcënojnë funksionimin e fondeve të sigurimeve pensionale dhe invalidore dhe sigurimeve shëndetësore, të cilat nuk do të kenë fonde të mjaftueshme për të financuar detyrimet e ardhshme. Më pak të rinjë do të thotë gjithashtu më pak biznese të reja e inovative, më pak inovacion e teknologji, më pak mundësi për tu përshtatur me kërkesat e tregut të punës dhe gatishmëri nga krahu i punës për tu ri kualifikuar komfor kërkesave dhe dinamikave të ekonomisë moderne.
Në fund, meqenëse, emigrimet janë faktori më i rëndësishëm në tkurrjen, zbrazjen dhe plakjen e popullsisë së Kosovës, është e nevojshme që shteti të veprojë shpejt në mënyrë që të ndikoj në zvogëlimin e shkaqeve që nxisin emigracionin në radhë të parë. Krijimi i kushteve për njerëzit e sidomos për rinin që të kenë besim në ndërtimin e një të ardhme në vendin e tyre është çelës për ndalimin e emigrimeve dhe krizës demografike në Kosovë.
Gjithashtu, për të zvogëluar efektet negative të proceseve demografike në zhvillimet socio-ekonomike është e nevojshme të miratohen një sërë masash dhe strategjish të politikave popullatave, masat për politika drejt qëndrueshmërisë së emigrimeve pastaj një sërë reformash ekonomike në drejtim të rivitalizimit të ekonomisë, rritjes së standardeve të qytetarëve të cilat do të përmirësonin mjedisi i biznesit, stimulimi i krijimit të vendeve të punës, favorizimi i investimeve dhe rikthimi i optimizmit tek të rinjtë i cili do ta zbutë dhe zvogëlonte kontingjentin emigrues nga Kosova duke e kthyer migracionin nga proces negativ në pozitiv, stimulimi i lindjeve përmes zgjatjes së pushimit të lehonisë, pagesa e rregullt e shtesave të lehonisë dhe fëmijëve, nxitje dhe mbështetje plotësuese në përkujdesjen dhe edukimin për fëmijën e tretë dhe të çdo pasardhësi, ndarjes së apartamenteve për çiftet e reja të martuara etj. Gjithashtu do të ishte e rëndësishme një fushat vetëdijesuese për rendësin dhe peshën e lindjes së fëmijëve përmes mediave dhe mjeteve të informimit publik dhe jo siç është gjendja aktuale ku shumë më tepër promovohet dhe investohet në emisione të cilat dekurajojnë lindjen dhe krijimin e familjeve të reja.
Nëse nuk ndermirën masa të menjëhershme që nënkupton adresimin e tkurrjes së popullsisë, emigrimit dhe moshimit të popullsisë, Kosova rrezikon të futet në krizë të thellë demografike, ekonomik dhe sociale. Kështu, çdo vonës në ndërmarrjen e masave për adresimin e çështjeve të trajtuara në këtë opinion nënkupton thellimin e krizës së përgjithshme e me kalimin e kohës mund të jetë shumë vonë për zgjidhjen e tyre që nënkupton edhe daljen nga kriza.
Fatkeqësisht deri me tani vullneti politik për adresimin e çështjeve dhe shqetësimeve të ngritura për problemet demografike të prezantuara ka munguar edhe angazhimi për zgjidhjen e tyre fatkeqësisht nuk duket në horizont.
(Autori Sami Behrami është doktor i shkencave të gjeografisë – demografisë)