26.5 C
Mitrovice
E mërkurë, 24 Qershor, 2026
spot_img
spot_img

Kosova nuk ftohet në Samitin e NATO-s në Turqi

Ndonëse 10 vende jo-anëtare do t’u bashkohen 32 shteteve anëtare të Aleancës në këtë takim të nivelit të lartë, Kosova nuk do të jetë njëra prej tyre.

Kosova nuk do të jetë pjesë e samitit të NATO-s që do të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Ankara të Turqisë, pavarësisht se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se 10 vende jo-anëtare do t’u bashkohen 32 shteteve anëtare të Aleancës në këtë takim të nivelit të lartë.

Një zyrtar i NATO-s ka konfirmuar për Albanian Post se Kosova do të mbetet jashtë këtij samiti.

“Institucionet në Kosovë nuk janë ftuar të marrin pjesë në Samitin e liderëve të Aleancës në Ankara”, deklaroi zyrtari i NATO-s për Albanian Post.

NATO-ja gjatë muajit qershor bëri të ditur se në vitin e ardhshëm do të bëjë reduktim të pranisë së saj në Kosovë. Misioni paqeruajtës i NATO-s është vendosur në vitin 1999, pas përfundimit të luftës.

Nga rreth 50 mijë trupa sa ishin dislokuar në atë periudhë, aktualisht në Kosovë janë rreth 4 mijë e 600 paqeruajtës të KFOR-it nga shtete të ndryshme.

Ndërkaq, Kosova ende nuk ka bërë kërkesë zyrtare për t’u anëtarësuar në NATO, pasi nuk njihet nga të gjitha shtetet anëtare të Aleancës.

Katër vende të NATO-s, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Greqia, nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Në NATO, vendimet për anëtarësim merren me konsensus të plotë, që do të thotë se edhe kundërshtimi i një shteti të vetëm mund ta bllokojë procesin.

Po ashtu, Kosova vazhdon të ketë një status të kontestuar ndërkombëtarisht. Edhe pse mbi 100 shtete e kanë njohur pavarësinë e saj, mungesa e njohjes universale e bën të vështirë pranimin në organizata si NATO, ku shtetësia e plotë është parakusht politik dhe juridik.

Në samitin e NATO-s në Ankara pritet të marrë pjesë edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Ndërkaq, muajve të fundit, Aleanca është vënë nën presion për shkak të ndryshimeve në politikën e SHBA-së, të cilat shkojnë përtej kërkesave për forcimin e shtyllës evropiane të NATO-s.

Prioritetet e këtij samiti do të jenë planifikimi i mbrojtjes dhe parandalimit (deterrencës), objektivat për shpenzimet e mbrojtjes dhe ndarja e barrës mes aleatëve, mbështetja e mëtejshme për Ukrainën, përfshirë dërgimin e pajisjeve, mekanizmat e financimit dhe forcimin afatgjatë të rezistencës, si dhe drejtimi i ardhshëm i Aleancës.

Javën e kaluar, ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare zhvilluan takimin e fundit përpara samitit në Ankara.

TË FUNDIT

TË FUNDIT