E enjtja e 9 prillit e ka gjetur Kosovën në situatë emergjente energjetike, me Termocentralin Kosova B të KEK-ut që aktualisht është komplet jashtë prodhimit.
Burime të Paparacit afër Korporatës Energjetike të Kosovës kanë thënë se vetëm Njësia A4 është në punë aktualisht.
KEK është duke prodhuar 114 megavat në orë, ndërsa kërkesa në tregun e brendshëm ka arritur në mbi 1000 megavat në orë.
Nga pesë njësi gjeneruese të energjisë elektrike të KEK-ut, aktualisht vetëm një prej tyre është ne funksion, kanë thënë burimet.
Njësia A3 e ka ndalur punën të martën në mbrëmje, kanë thënë burimet. Ndërkaq, Njësia B2 ndodhet në remont.
Anash 114 megavatëve në orë nga KEK, Kosova është duke prodhuar edhe 68 megavat të tjera në orë nga burimet e ripërtëritshme të energjisë, ka mësuar Paparaci.
Por, gjendja mbetet e rënduar.
Këtë e ka konfirmuar edhe KEK, në një njoftim për media të enjten.
Korporata tha se Njësia B2 e Termocentralit Kosova B ka rënë të mërkurën në mëngjes.
Sipas njoftimit të tyre, puna atje është ndaluar për shkak të rrjedhjeve të konsiderueshme të ujit.
KEK-u ka njoftuar të mërkurën se procesi i sanimit të gypave të dëmtuar do të zgjasë deri në 48 orë, derisa tha se ka arritur të sigurojë rreth 5000 megavat energji elektrike nga burime të jashtme “që përfaqëson 90% të kapacitetit të planifikuar të prodhimit të njësisë B2”.
Korporata Energjetike ka njoftuar se hera e fundit kur kjo njësi ka pasur rrjedhje ishte më 4 dhjetor të vitit të kaluar. Ndalja u tha se ishte e domosdoshme për të parandaluar pasoja më të mëdha.
“Vlen të theksohet se hera e fundit kur kjo njësi ka pasur një rrjedhje të tillë ishte më 04.12.2024, dhe për të parandaluar ndonjë defekt me pasoja më të mëdha, ndalja e saj ka qenë e domosdoshme. Ekipet tona të mirëmbajtjes dhe ekspertëve teknikë janë në gatishmëri të plotë për të filluar procesin e sanimit të gypave të dëmtuar. Bazuar në vlerësimet paraprake, pritet që ky proces të zgjasë rreth 48 orë”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.