Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për ndërveprueshmëri dhe siguri në komunikim.
Marrëveshja u nënshkrua të martën ndërmjet komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari dhe gjeneralit amerikan, John Philips, ku u tha se kjo marrëveshje është e një rëndësie të veçantë që mundëson shkëmbimin e informacioneve të sigurta.
Gjithashtu, marrëveshja përfshin edhe shkëmbin e informacioneve kriptografike dhe përdorimin e teknologjisë së avancuar të mbrojtjes nga FSK-ja.
Jashari dhe Philips diskutuan edhe për rreziqet nga sulmet kibernetike dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë së informacionit dhe komunikimit.
“Marrëdhëniet e FSK-së me aleatët e saj strategjikë janë të rëndësishme në fuqizimin dhe zhvillimin e saj e në linjë me këtë Komanda e Forcave Amerikane për Evropë (EUCOM) do të vazhdojë të luajë një rol kyç në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes”, thuhet në njoftimin e FSK-së.