spot_img
spot_img

Kos: Ndryshimet në Ligjin për Specialen janë të papranueshme për BE-në

Ndryshimi i rregullave gjatë zhvillimit të një procesi gjyqësor, sipas Kos, bie ndesh me standardet ndërkombëtare të sundimit të ligjit.

Ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian dhe janë të papranueshme, ka thënë Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos.

Këto komente, Kos i ka bërë para takimit të Ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, ku ka kritikuar ndryshimin e rregullave ligjore.

“Dua të jem e qartë se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara në Kosovë bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj BE-së. Kjo është e papranueshme”, tha Kos, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Ndryshimi i rregullave gjatë zhvillimit të një procesi gjyqësor, sipas Kos, bie ndesh me standardet ndërkombëtare të sundimit të ligjit.

“Mesazhi im është shumë i thjeshtë. Zgjerimi evropian po ecën përpara. Nëse vendet kandidate bëjnë hapa prapa, ato nuk janë në rrugën e duhur dhe nuk do të mund të bëhen anëtare të BE-së”, shtoi ajo.

Të martën e javës së kaluar, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale.

Ndryshimi i Ligjit u iniciua nga Partia Demokratike e Kosovës pasi që Gjykata Speciale dënoi me 81 vjet burgim krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet, Jakup Krasniqi me 25, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13.

Shqiptarët në Kosovë e kanë kundërshtuar aktgjykimin e Speciales. Ata për 21 ditë me radhë kanë protestuar kundër tij.

Përveç në Kosovë, protesta kundër vendimit të Speciales janë mbajtur edhe nga diaspora shqiptare nëpër vende të ndryshme të botës.

TË FUNDIT

TË FUNDIT