Familjarët, të lodhur në 20 vjet pritje për një lajm se ku ndodhen eshtrat e më të dashurve të tyre të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, dolën sot për përmbyllur vitin 2019 me kërkesën e vetme që kanë tash e dy dekada, zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.
Ata thonë se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq e di se ku ndodhen trupat, andaj ndërkombëtarët duhet t’i bëjnë presion për ta mbyllur këtë çështje.
Atyre iu bashkua edhe Glauk Konjufca i Vetëvendosjes i cili ditë më parë u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Ai tha se në të ardhmen duhet të bëhet më shumë në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, duke theksuar që kjo çështje të jetë një lloj kushti në negociatat me Serbinë.
“Është bërë njëfarë përpjekje që fati i tyre të zbardhet, por mendoj që në të ardhmen duhet të bëhet më shumë, edhe prej institucioneve të Kosovës, edhe prej çdo zyrtari politik e institucional të shtetit, e të Republikës së Kosovës, që ta ngrisin zërin kudo që jemi, edhe në negociatat e ardhshme me Serbinë, që kjo të jetë një lloj i kushtit i Republikës së Kosovës që ata të cilët janë përgjegjës dhe fajtor për humbjen e jetës dhe për zhdukjen e familjarëve dhe më të dashurve tanë, të japin përgjegjësi së pari para drejtësisë, dhe të kthehen trupat e familjarëve tuaj. Ne gjithmonë do të përpiqemi të jemi në krye të detyrës që të bëjmë atë që kërkohet prej nesh”.
Jahja Lluka, koordinator për personat e pagjetur në Qeverinë Haradinaj tha se derisa të gjendet edhe personi i fundit, institucionet nuk duhet të pajtohen me askënd.
Ndërsa Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, tha se Serbia e di adresën e ndodhjes së tyre, veçse duhet një presion ndërkombëtar.
Në Kosovë ende nuk dihet për fatin e mbi 1600 personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë./KosovaPress