Kryeparlamentari Glauk Konjufca është deklaruar rreth propozimit franko-gjerman për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë.
Duke folur për këtë plan, Konjufca ka thënë se duket sikur ka një propozim që të jetë një njohje de facto e shtetit të Kosovës nga Serbia, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Nëse është një propozim në të cilin nuk përfshihet edhe nota verbale e shtetit serb në raport me shtetin e Kosovës, atëherë do të ishte më pak se ato që janë synimet tona, të cilat ne bile as që i quajmë maksimaliste, por është optimale. Sepse optimale është diçka që është realiste, e realiste është që Serbia me pranu shtetin e Kosovës. Aty duket sikur ka një propozim që të jetë një njohje de facto e shtetit të Kosovës, gjithçka që prodhon Kosova, dokumentacioni, doganat, kufinjtë, në marrëdhëniet ndërkombëtare, në reprezantimin e jashtëm të Kosovës, anëtarësim nëpër organizata ndërkombëtare, krejt këto me u pranu nga ana e Serbisë”, ka thënë Konjufca për T7.
Ai ka komentuar edhe kritikat e Departamentit të Shtetit ndaj Qeverisë së Kosovës, lidhur me zbatimin e vendimit për targat.
Sipas kryetarit të Kuvendit, miqtë ndërkombëtarë po binden se situata është nën kontroll.
“Ne duhet t’i bindim miqtë tanë ndërkombëtarë dhe ma merr mendja që këtë suksesshëm po e bën Qeveria e Kosovës, që është e mundshme edhe ta realizojmë sundimin e ligjit, por edhe situata të mbahet nën kontroll. Bile unë mendoj që nëse edhe ata binden për këtë punë, nuk kanë me pas kurrfarë vërejtje që kjo të bëhet”, ka deklaruar Konjufca.
Nëpërmjet një komunikate për media, Lista Serbe paralajmëroi kryeministrin Albin Kurti se pas gjobës së parë që do jepet për targat, do përballet me rezistencë të ashpër.
Ndonëse s’beson në një gjë të tillë, Glauk Konjufca e ka një thirrje për institucionet e vendit.
“Këtu janë përpjekje për shantazh, por unë mendoj që edhe për kaq ata vendosin me destabilizu situatën, institucionet e Kosovës s’duhet të bien në provokime, ashtu siç nuk ranë në provokime as nga ndërhyrjet e mëhershme. Ata i qesin bandat e tyre, provokojnë policinë e Kosovës, por Policia e Kosovës duhet me qenë shumë profesionale, institucionet duhet me reagu tërësisht në funksion të zbatimit ligjor të marrëveshjes”, ka thënë kryeparlamentari Konjufca.
Nga mesnata ka filluar masa e qortimit të ngasësve të makinave me targat të konsideruara ilegale nga qeveria e Kosovës.