Kongresmeni amerikan Keith Self ka bërë thirrje për rritjen e presionit diplomatik ndaj pesë shteteve anëtare të NATO që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Gjatë një seance dëgjimore në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, ku u diskutua për zhvillimet e sigurisë në Ballkan dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në Evropën Juglindore, Self tha se njohja e plotë ndërkombëtare e Kosovës dhe perspektiva e anëtarësimit të saj në NATO janë elemente kyçe për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon.
“Njohja e plotë ndërkombëtare e Kosovës dhe anëtarësimi i saj i ardhshëm në NATO janë elemente kyçe për garantimin e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në Ballkan”, deklaroi ai.
Sipas kongresmenit amerikan, fakti që pesë vende të NATO-s vazhdojnë të mos e njohin Kosovën krijon pengesa politike dhe institucionale, të cilat e ngadalësojnë konsolidimin e vendit në arkitekturën euroatlantike të sigurisë.
Self theksoi se në një periudhë të pasigurisë së shtuar globale, udhëheqja e fortë e Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbështetja për Kosovën mbeten vendimtare jo vetëm për sigurinë rajonale, por edhe për forcimin e demokracisë dhe paqes së qëndrueshme në Evropën Juglindore.
Ai shtoi se angazhimi i Uashingtonit në Ballkanin Perëndimor duhet të vazhdojë, duke përfshirë përpjekjet për koordinim më të ngushtë me aleatët e NATO-s rreth çështjes së Kosovës.



