Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se nuk kanë identifikuar shkelje nga dronë që mund të ndikojnë në sigurinë në Kosovë.
KFOR ka thënë se monitoron rregullisht hapësirën ajrore të Kosovës, përmes të gjitha mjeteve dhe aseteve në dispozicion.
“Lidhur me pyetjen tuaj, ne nuk kemi identifikuar shkelje nga dronë që mund të ndikojnë në sigurinë në Kosovë. Komandanti i KFOR-it ka autoritet mbi hapësirën ajrore të Kosovës, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, kështu që KFOR-i monitoron rregullisht hapësirën ajrore të Kosovës, përmes të gjitha mjeteve dhe aseteve në dispozicion të tij”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
“Është thelbësore që të gjitha aktivitetet në hapësirën ajrore, veçanërisht afër Vijës Kufitare Administrative, të koordinohen në mënyrë adekuate me KFOR-in për të parandaluar tensionet dhe për të siguruar sigurinë. KFOR-i mbetet në kontakt të ngushtë me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura Serbe. Dhe vazhdon aktivitetet e tij të përditshme, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij të gjatë të OKB-së, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në përgjigjen për Klan Kosova.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar sot se së fundi janë regjistruar raste të fluturimeve të dronëve në pjesën veriore të vendit, për të cilat dyshohet se vijnë nga territori i Serbisë. Ai tha se kanë informuar KFOR-in.
Ndërkaq, dy ditë më parë, ishte Xhelal Sveçla, ministër në detyrë i Punëve të Brendshme që ka konfirmuar Serbia ka shkelur hapësirën ajrore të Kosovës, përmes dronëve.
“Tash kohën e fundit po besoj që tashmë e dini që ka një lëvizje të paautorizuar apo shkeljes së hapësirës sonë ajrore përmes dronëve të cilët kohë pas kohe qarkullojnë apo shkelin hapësirën tonë ajrore”, ka thënë ai në KTV.