Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka reaguar për kalimin e gabimshëm të disa konvojve të FSK-së në veri të vendit.
KFOR-i në një përgjigje ekskluzive për Klankosova.tv ka thënë se i pranojnë deklaratat e dhëna nga Policia e Kosovës dhe FSK-ja se kalimi në veri ishte i gabimshëm.
“Në lidhje me pyetjen tuaj, ne e pranojmë deklaratën e bërë nga Policia e Kosovës dhe nga FSK-ja, se njësia përkatëse e FSK-së kishte dalë gabimisht për disa minuta nga itinerari i saj dhe ishte kthyer menjëherë në rrugën fillestare, në jug të Kosovës”.
“KFOR-i mirëpret respektimin e vazhdueshëm nga ana e FSK-së të marrëveshjes së mëhershme për të mos dislokuar personel të FSK-së në veri të Kosovës, pa një njoftim paraprak dhe miratim nga Komandanti i KFOR-it”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Tutje, KFOR-i tha se kjo pikë u theksua sërish gjatë një bisede të telefonike sot mes komandantit të KFOR-it, Enrico Barduani dhe komandantit Bashkim Jashari.
“Kjo pikë u theksua sërish gjatë një bisede telefonike sot mes Komandantit të KFOR-it dhe Komandantit të FSK-së. Komandanti i FSK-së konfirmoi se njësia e FSK-së kishte devijuar përkohësisht nga rruga e saj për shkak të një gabimi”.
“KFOR-i është i pozicionuar mirë në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë veriun e vendit, dhe është i gatshëm të reagojë ndaj çdo zhvillimi të rëndësishëm në aspektin e sigurisë, në përputhje me mandatin e tij të gjatë nga OKB-ja, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.