Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pranuar të udhëheq me Qeverinë e Kosovës në kohën kur vendi gjendet në një situatë të vështirë politike dhe ekonomike, shkruan Gazeta Metro.
Kryeministri Hoti para vetes ka tri çështje kryesore, e para është luftimi i pandemisë COVID-19, e dyta është rimëkëmbja ekonomike dhe e treta është dialogu me Serbinë.
Edhe vet Hoti si prioritet të tij gjatë qeverisjes i ka renditur luftimin e pandemisë dhe rimëkëmbjen ekonomike, ku tha se kanë plan të veçantë për të tejkaluar dhe për t’u përballur me këto dy probleme.
Por, një nga më kryesore do të jetë edhe fillimi i dialogut me Serbinë, ku kryeministrit Hoti i duhet që të heq të gjitha masat e vendosur ndaj Serbisë në mënyrë që dialogu të kthehet në binaret e dikurshme.
Kur dialogu të fillon, sfida kryesore pritet të jetë arritja e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, këtu rolin kryesor dhe ndikimin po vazhdon ta ketë presidenti i vendit, Hashim Thaçi, krejt kjo pasi dialogu po zhvillohet në nivel presidentësh.
Arritja e marrëveshjes me Serbinë do të jetë sfida kryesore e Qeverisë Hoti, ku ai ka paralajmëruar se do të jetë në krye të bisedimeve me Serbinë.
Hoti ka paralajmëruar se do të ketë bashkëpunim me presidentin Thaçi në bisedimet me Serbinë, po ashtu ai tha se do të ketë unifikim edhe partitë politike dhe shoqëritë civile.
Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës më 3 qershor 2020, votoi për formimin e Qeverisë Hoti me 61 vota pro, 24 kundër dhe 1 abstenim, teksa të pranishëm në sallë ishin 86 deputetë.//gazetametro.net






