Pas 26 pranverash në pritje e ankth të familjeve, 11 të zhdukur gjatë luftës janë gjetur dhe identifikuar në varrezën masive në Bishtazhin.
Pas masakrës në Kralan, forcat shtetërore të Serbisë, i kishin rrëmbyer dhe groposur në varreza masive, në përpjekje që t’i zhdukin, bashkë me dëshmitë e krimeve.
Aty u mbajtën nën tortura të vazhdueshme, pa ujë dhe ushqim për dy ditë. Më 4 prill, nga ta u ndaluan 86 burra dhe djem, ndër të cilët 11 ishin të mitur. Që nga ajo ditë, askush nga ta më nuk është parë i gjallë. Disa prej tyre ishin gjetur në afërsi të liqenit Peruqac në Bajina Bashta të Serbisë.
Pas zhvarrosjes nga Bishtazhini, Serbia i rrëmbeu kufomat.
Pas 26 viteve, në varrezën masive në Bishtazhin, janë gjetur dhe identifikuar:
Adem Gashi;
Sahit Gashi;
Bekim Hasani;
Sheremet Ismajli;
Mentor Myrtaj;
Osman Fejza;
Shkelzen Hajdaraj;
Bekim Gashi;
Sabedin Kryeziu;
Mentor Kryeziu;
Vehbi Halilaj.
Për këtë çështje ka shkruar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se plagët e hapura të zhdukjeve me dhunë janë e vërteta e krimeve çnjerëzore dhe gjenocidit të kryer nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.
“Në këto ditë të rënda nuk është e lehtë të gjenden fjalë ngushëllimi që mund të plotësojnë zbrazëtinë që ka lënë mungesa e tyre. Është e vështirë të gjejmë fjalë mjaftueshëm të fuqishme për të përshkruar forcën dhe durimin e palëkundshëm të familjarëve përgjatë këtyre viteve”.
“Në këto ditë, e çdo ditë tjetër, të përbashkët e kemi dhembjen dhe nderimin për martirët e dëshmorët e kombit në Kosovë. Qëndrojmë bashkë për të mos lejuar harresën të mbulojë mizoritë që ndodhën në luftë”, ka thënë Kurti.