Paralajmërimi për shtrenjtim të ri të energjisë elektrike ka nxitur reagime të shumta në vend.
Parashtrimi i kërkesës së kompanisë KESCO në ZRrE për rritje të çmimit të energjisë elektrike për 21.4 për qind ka alarmuar opozitën dhe qytetarët.
Për një gjë të tillë ata kanë fajësuar Qeverinë në detyre. Sipas tyre, shtrenjtim i serishëm i rrymës do të ndikojë edhe në shtrenjtimin e produkteve tjera.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka bërë me dije se trashja e xhepave të tregtarëve të energjisë po bëhet duke u zbrazur xhepat qytetarëve.
“E kam thënë edhe më herë, po e përseris prapë se trashja e xhepave të tregtarëve të energjisë, pjesë e mafisë energjetike, bëhet duke u zbrazur xhepat qytetarëve. Kërkesa e KESCO-s për rritje të çmimit të energjisë nuk është as e vetmja e as definitive, pasi rritje çmimi sigurt kanë kërkuar edhe operatorët e tjerë: KEDS, KOSTT dhe KEK. Sido që të jetë, mos e harroni kurrë premtimin e Albin Kurtit para se të vinte në pushtet, kur thoshte ”do ta lirojmë energjinë se është tepër e shtrenjtë kur rrimë mbi gjithë këtë energji”.”, ka shkruar ajo.
Ajo ka bërë me dije se duhet të kundërshtohet çfarëdo vendimi i tillë.
“Një gjë tjetër duhet ta kemi parasysh se sa herë që flitet për rritje të çmimit të energjisë, rriten çmimet e të gjitha artikujve. Pra, rritja e çmimit të energjisë ka gjithmonë efekt multiplikues dhe gjithmonë negativ. Dhe në fund mos harroni se 100 Euro në kohë zgjedhjesh, shtesat për lehona, shtesat për fëmijë, shtesat për të moshuar dhe studentë janë pasojë e varfërimit të qytetarëve, jo rezultat i zhvillimit ekonomik. Ka ardhur koha që secili qytetar i këtij vendi të dalë kundër çdo vendimi të padrejtë të institucioneve publike dhe qeverisë”, ka shkruar ajo.
Edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar ashpër.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se kjo do të jetë rritja e katërt e çmimit të energjisë gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.
“Po e shoh që KESCO paska propozuar 21% rritje të rrymës. Nëse aprovohet, kjo do të jetë rritja e katërt vetëm këtë mandat! Me rëndësi, ne po “prodhojmë” dronë ushtarak, faturat e qytetarëve sipas pushtetit, mund edhe të presin”, ka shkruar ajo.
Dje është bërë e dotir se KESCO ka parashtruar kërkesën për rritje të çmimit të energjisë elektrike.
Në dokumentin që ia ka drejtuar Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, kjo kompani për kërkua që çmimi i rrymës për vitin 2026 të ngritët 21.4 për qind.
Sipas KESCO, kërkesa pas marrjes në konsideratë të shpenzimeve të pritshme.
“Konsumi i konsumatorëve që vazhdojnë të përmbushin kriteret për furnizim me shërbim universal ka shënuar rritje. Kjo ka rezultuar në rritje të nevojave për blerje të energjisë elektrike për mbulimin e konsumit të FSHU-së, në përputhje me obligimin ligjor për sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm dhe të sigurt për këta konsumatorë”, është thënë në kërkesën e kësaj kompanie.






