Të ardhurat e sadakasë, vitrave, zeqatit, anëtarësisë si dhe qirave të objekteve të Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Prishtinë dyshohet të jenë keqpërdorur për tri vite me radhë nga Bahri Rexha.
Rexha po dyshohet për përvetësimin e përreth 166 mijë eurove nga arka e BIK’ut.
Në kallëzimin penal të cilin e ka parë Insajderi, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari duke keqpërdorur besimin në cilësinë e arkëtarit të KBI, në vazhdimësi nga viti 2020 deri më 2023-ën, me qëllim të përfitimit material, ka keqpërdorur fondet nga buxheti i BIK’ut.
Ai po dyshohet për veprat penale si në vijim: “Mashtrimi”, “Keqpërdorimi i Besimit”, “Përvetësimi në detyrë”, “Përdorimi i paautorizuar i pasurisë” dhe “Vjedhja”.
Në kallëzim penal, në raportet e përpiluara nga BIK’u, dëshmohet se Rexha nuk i kishte dërguar për nënshkrim një pjesë të mjeteve të pranuara.
Po ashtu, thuhet se në disa dëftesa ka shkruar gabim shifrat e të hollave të pranuara. Aty përfshihen shërbime varrimi, para të pranuara nga biznese e persona privatë.
Për vitin 2020, siç qartëson kallëzimi penal të cilin e ka parë Insajderi, nga totali i parave të hyra në BIK, del një diferencë prej 16,179 euro nga ajo çfarë është shkruar dhe çfarë është marrë gjatë kohës sa Rexha ka punuar si arkëtar.
“Duke ju referuar të lartcekurave, sqarimit në fillim të këtij kallëzimi penal duke vazhduar tutje me citimin e raportit i nxjerrë nga komisioni profesional, e që do të ja bashkëngjisim këtij kallëzimi, shihet qartë që tani i pandehuri në mënyrë të qëllimshme, duke keqpërdorur besimin e kryetarit, ka ndërmarr veprime përmes të cilave e ka dëmtuar tani të dëmtuarin në shumën prej 166,528.30 euro“, thuhet në kallëzim penal.
Bahri Rexha fillimisht është suspenduar nga detyra, më 5 mars të vitit 2023.
Ndërkaq, nëntë muaj pas, përmes masës disiplinore, është larguar nga puna si arkëtar i Bashkësisë Islame të Kosovës në Prishtinë. /Insajderi.org/