Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka nisur të shtunën shkyçjen e rreth 450 bizneseve, të cilat nuk kanë lidhur marrëveshje me një furnizues.
KEDS përmes një njoftimi ka thënë se ligjërisht nuk mund të lejojë vazhdimin e furnizimit me energji elektrike për ato kompani që nuk kanë arritur akoma marrëveshje me ndonjërin prej furnizuesve të licencuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.
“Mbi bazën e kësaj dhe në respektim të Legjislacionit në fuqi, ju njoftojmë se sot kemi filluar shkyçjen e rreth 450 bizneseve, të cilat nuk u janë përfillur thirrjeve të vazhdueshme për lidhjen e marrëveshjes me një Furnizues, pavarësisht se i plotësonin kushtet për dalje në treg të hapur të energjisë elektrike”, thuhet në njoftim.
KEDS ka njoftuar më tej se në emër të këtyre bizneseve janë identifikuar mbi 1400 njehsorë elektrikë, prej të cilëve mbi 600 janë njehsorë smart që do të shkyçen nga distanca, ndërkaq pjesa tjetër do të shkyçen fizikisht te këto kompani./koha.net