22.2 C
Mitrovice
E premte, 29 Mars, 2024
spot_imgspot_img

Kampioni vendoset në “Minatorin” e zjarrtë

Për Trepçën e për Pejën më nuk ka vend për kalkulime. Të dy skuadrat do të japin gjithçka nga vetja në ndeshjen e pestë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Skuadra që triumfon do të shpallet kampione e Kosovës për edicionin 2022/23. Ky sukses ka kohë që u mungon të dyja ekipeve. Trepça është në kërkim të titullit që nga viti 2012, ndërsa Peja prej vitit 2013. Për Trepçën do të ishte titulli i pestë, ndërsa për Pejën i gjashti.

Ndeshja e pestë finale do të zhvillohet të enjten prej orës 20:00, në palestrën “Minatori”.

Pas katër ndeshjeve të luajtura deri më tani rezultati është 2:2, me ekipet që kanë regjistruar nga dy fitore si vendase.

Trepça ka përparësinë e terrenit në ndeshjen vendimtare të kampionatit, ndërsa do ta ketë përkrahjen më të fuqishme se kurrë prej tifozëve të saj në “Minatorin” e zjarrtë. Biletat janë shitur brenda një kohe të shkurtër, pasi dolën papritur në shitje të martën për të shmangur tollovinë.

Te Trepça optimizmi është i madh. “Xehetarët” besojnë fuqishëm në fitore dhe në titull të kampionit. Optimizmin e bazojnë në motivin që kanë dhe përkrahjen e madhe të tifozëve, me të cilët duan të festojnë suksesin. Trajneri i Trepçës, Ilir Selmani, është i vendosur që ta kthejë titullin në Mitrovicë pas 11 vjetësh. Për Selmanin, kjo do të jetë ndeshja e tretë në krye të Trepçës. Ai javën e shkuar e zëvendësoi trajnerin e larguar papritur, Engin Gençoglu. Selmani ka një fitore dhe një humbje si kryetrajner dhe po beson se ndeshja e tretë do të përfundojë me fitore dhe titull të kampionit.

Selmani vlerëson lart ekipin e Pejës dhe trajnerin e saj, Rami Hadar.

“Më nuk ka kalkulime, pasi është ndeshja që vendos për titull dhe gjasat janë 50 me 50. Peja ka ekip të mirë, gjë që e ka treguar, dhe një trajner që ka bërë punë fantastike prejse ka ardhur. Kështu që kemi respekt për rivalin, por jemi përgatitur dhe të motivuar për të fituar. Në këtë ndeshje nuk ka të bëjë me taktikën, por me dëshirën dhe vullnetin. Ne këto i kemi për shkak që luajmë në shtëpi dhe do ta shfrytëzojmë edhe përkrahjen e madhe të tifozëve tanë për ta kthyer titullin në Mitrovicë pas kësaj pritjeje të gjatë”, ka thënë Selmani. “Pres një ndeshje të fortë, interesante dhe atraktive, siç i ka hije një finaleje për ta mbyllur edicionin. Ekipi që ka dëshirë më të madhe do të shpallet kampion, e që ky ekip pres të jemi ne”.

Motivimi nuk mungon as te Peja. Madje pejanët insistojnë se presioni është në anën e Trepçës, pasi luan në palestrën e saj. Te Peja thonë se janë gati për ta shënuar fitoren e parë në Mitrovicë pas dy humbjeve në këtë seri finale.

Në fakt Peja e ka mposhtur dy herë Trepçën në “Minatori” gjatë pjesës së rregullt të edicionit. Në katër përballjet para plejofit, Peja kishte tri fitore karshi një humbjeje që ia shkaktoi Trepça në palestrën “Karagaçi”.

Alban Veseli thotë se atmosfera është e mirë brenda ekipit dhe të gjithë lojtarët janë gati dhe të motivuar për ta kthyer titullin në Pejë. Veseli e dëshiron një sukses të tillë edhe për faktin se në vitin 2013, kur Peja u shpall kampione, ishte pjesë e këtij ekipi. Synon tjetër titull me Pejën një dekadë më vonë.

“Ky kampionat e meriton të mbyllet me një ndeshje interesante, siç pres të jetë ndeshja e pestë e serisë finale. Ishte një kampionat i bukur, i vështirë dhe padyshim më interesanti në vitet e fundit, pasi të gjitha skuadrat ishin të barabarta dhe secila ka mposhtur njëra-tjetrën. Kështu që tani është koha të mbyllet kampionati me një përballje të fortë dhe tejet interesante, për të cilën si ekip jemi plotësisht gati”, është shprehur Veseli.

“Është finalja e pestë që përcakton titullin dhe këtu nuk ka favorit. Ekipi që do të jetë më i koncentruar në lojë dhe bën më pak gabime do të fitojë. Besoj se ky ekip do të jetë Peja. Fitorja jonë është e pashmangshme nëse arrijmë ta tregojmë lojën tonë, të cilën nuk e kemi shfaqur në dy ndeshjet e mëparshme të luajtura në Mitrovicë. Ne jemi të qetë, atmosfera është e mirë dhe motivi shumë i madh. Presioni është mbi Trepçën që luan në shtëpi. As ne e as Trepça nuk kemi çfarë të humbim dhe do të japim gjithçka nga vetja. Sigurisht, përgjegjësia është e madhe, por unë jam optimist se do ta fitojmë titullin. Këtë sukses e kam pasur me Pejën edhe para një dekade”.

Pjesën e rregullt të edicionit Peja e ka mbyllur e dyta në tabelë derisa Trepça doli e katërta. Peja garat e plejofit i ka nisur prej serisë gjysmëfinale, në të cilën e mposhti kampionin në fuqi, Golden Eagle Yllin me rezultatin 3:1. Ndërkohë, Trepça ka eliminuar dy kundërshtarë për të arritur në finale. Eliminoi Bashkimin 2:0 në çerekfinale dhe Sigal Prishtinën 3:2 në gjysmëfinale. Pasi e mposhti Prishtinën, që ishte e para, fitoi përparësinë e terrenit.

Për Trepçën është finalja e dytë rresht. Edicionin e shkuar u mposht nga Ylli. Nga Ylli i Suharekës në vitin 2021 kishte humbur Peja në finale.

Për Trepçën është finalja e katërt këtë edicion, ndërsa për Pejën e dyta. Peja u mposht në finalen e Ligës Ballkanike, kurse Trepça ka humbur deri më tani vetëm njërën finale, atë të Superkupës së Kosovës. Ka triumfuar në Superkupën Mbarëkombëtare dhe Kupën e Kosovës.

©KOHA.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT