Shefja e diplomacisë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, u ka bërë thirrje partive parlamentare në Kosovë të bashkëpunojnë për ta zhbllokuar ngërçin politik në vend.
Kallas pas përfundimit të vizitës në rajon, ka përsëritur mesazhet që i ka lënë për secilin vend. Kallas vizitoi Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në Kosovë takoi një nga një krerët e partive politike në Kosovë. Kallas ka kërkuar formimin sa më të shpejtë të Qeverisë. Ajo ka bërë apel që përfaqësuesit politikë të vënë Kosovën në vend të parë.
“Kosovë — I inkurajova të gjitha partitë në Kosovë që të thyejnë ngërçin politik dhe të formojnë shpejt një qeveri. Udhëheqësit duhet të lënë mënjanë përçarjet dhe t’i japin përparësi të ardhmes së Kosovës”, ka shkruar Kallas.
Ajo ka treguar edhe për mesazhin që ka pasur për autoritetet në Serbi.
“Në Serbi, kërkova që autoritetet të përshpejtojnë reformat dhe të përcaktojnë qartë drejtimin strategjik të vendit drejt BE-së, përmes rikthimit të besimit dhe përkushtimit ndaj parimeve demokratike. Bisedova edhe me të rinj dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kërkuan drejtësi dhe përgjegjësi – zëri dhe energjia e tyre janë thelbësore për të ecur përpara”, shkroi ajo.
“Liderët duhet të lënë ndarjet anash dhe të vendosin në plan të parë të ardhmen e Kosovës”, theksoi ajo.
Ndërsa për Maqedoninë e Veriut, Kallas nënvizoi se vendi ishte i pari në rajon që nënshkroi një Partneritet për Siguri dhe Mbrojtje me BE-në dhe përfitoi nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
“Maqedonia e Veriut i përket familjes evropiane dhe tani është thelbësore të vazhdohet në rrugën drejt BE-së”, u shpreh Kallas. /Reporteri.net/