Analisti politik Vehbi Kajtazi, ka deklaruar në Rubikon se kompania serbe që operon në veri Elektrosever, ka të drejtë t’i furnizojë me rrymë edhe pjesët e tjera të Kosovës.
“Po ka të drejtë, sepse është në treg të lirë sikur 19 të tjera që janë të licencuara. Ajo ka të drejtë të shesë në gjithë territorin e Kosovës”, tha Kajtazi.
“Nga 1 qershori kur bizneset dalin në treg të hapur, atëherë kanë të drejtë të blejnë edhe prej kësaj dhe automatikisht Serbia mund të jetë furnizues kryesor me energji elektrike. Po sepse ti i ke nxjerrë bizneset në treg të hapur dhe ata blejnë energji ku e kanë më lirë”, deklaroi ai në Klan Kosova.
Gjatë ditës së djeshme kompania e cila operon në veri Elektrosever ka bërë të ditur se shtrenjtimi i tarifave të rrymës nuk do të vlejë për veriun.
Më 16 prill, Zyra e Rregullatorit të Energjisë e ka miratuar rritjen e çmimit të rrymës për 16.1 për qind.
Kjo u kundërshtua ashpër nga qytetarët dhe bizneset të cilët edhe protestuan në shenjë pakënaqësie.