Një grua nga një fshat i Vushtrrisë ka denoncuar publikisht babanë e saj për dhunë fizike.
S.T. pretendon se babai i saj e ka goditur atë me çekan në kokë.
Në një postim të sajin në rrjete sociale, ajo thotë se kjo është hera e parë që dikush ushtron dhunë fizike ndaj saj, teksa babait i referohet me termin “kafshë”.
“Në këtë gjendje më solli një kafshë, babai im, me mjet të ftohtë çekan më ra në kokë. Për herë të parë dikush në jetën time që ka ushtruar dhunë fizike në trupin tim”, thotë S.T.
Viktima e dyshuar ka postuar edhe fotografi me kokën e mbështjellë me fasha.
Sipas saj, ndihmë i kanë ofruar bashkëfshatarët e saj, por edhe Policia e Emergjenca.
Ndër të tjera, ajo thotë se “po të lirohet ai, unë jam e vdekur”.
Për më tepër, ajo kërkon ndihmë financiare që të paktën, sipas saj, për disa muaj të jetojë në një banesë, pa praninë e prindit të saj.