Ka përfunduar takimi ndërmjet ish-presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.
Pas përfundimit të takimit, Osmani është shprehur shkurt për media, duke e cilësuar atë si një takim joformal. “Ka qenë kafe mes miqsh”, ka deklaruar ajo teksa është larguar nga ambienti ku u zhvillua takimi.
Takimi, i cili zgjati rreth dy orë, u mbajt në një nga restorantet e kryeqytetit dhe erdhi në vazhdën e zhvillimeve të fundit politike, përfshirë edhe caktimin e datës së zgjedhjeve të reja.
Ndryshe, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se pajtueshmëria për një garë tashmë ekziston.
“Edhe sonte në kuadër të arritjes së një qëllimi të përbashkët, për modalitetin dhe formën dhe për mënyrën se si do të arrihet një pajtim i ndërtimit të së djathtës dhe në listën e LDK-së, për këtë është çështje që vetë ata do ta bëjnë të ditur… Mund të konstatoj se pajtueshmëria për një garë ekziston tashmë, për modalitetin dhe formën do të bëhet me dije pasi të arrihet pajtueshmëri e plotë”, ka thënë ai.




