18.5 C
Mitrovice
E mërkurë, 29 Prill, 2026
spot_img
spot_img

Ju premtonte investime dhe ju thoshte se do t’i ketë në zemër, nëntë ditë pas grevës Kurti s’merret me minatorët

Tash e nëntë ditë minatorët e Trepçës së Stantërgut janë në grevë dhe gjendja e tyre nuk raportohet e qëndrueshme.

Por, pavarësisht kësaj, i pari i ekzekutivit, Albin Kurti, s’e ka marrë mundin t’i takojë minatorët si dikur dhe të ju premtojë se do të merret me kërkesat e tyre – ashtu së paku siç ishte zotuar tri vjet më parë – për investime dhe kushte më të mira të punës për ta.

Kryeministri Albin Kurti në vitin 2020 kishte shkruar në minierën e Trepçës në Stantërg për të shënuar 31 vjetorin e grevës së minatorëve.

Nga atje Kurti ju premtonte investime dhe kushte më të mira minatorëvë që më 1989 kishin grevuar për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese.

Më 20 shkurt të atij viti rreth 1.300 minatorë ishin ngujuar thellë nën tokë për 8 ditë rresht në horizontet e 8-a dhe 9-a.

“Është gëzim e nder të jem me ju sot në shënim të një ngjarjeje aq të rëndësishme për Trepçën, për Mitrovicën, për Kosovën, e madje edhe më gjerë se kaq, një ngjarje që vulosi një epokë dhe sot ndodhet në kujtesën tonë kolektive”, thoshte Kurti.

Ajo që u shfaq në ato 8 ditë grevë të vitit 1989 nuk ishte vetëm guximi i minatorëve për të mos u nënshtruar ndaj një sistemi të padrejtë, por edhe njohuria e thellë politike që minatorët kishin për gjithë situatën në ish Jugosllavi e sidomos për të drejtat e popullit shqiptar”, vazhdonte Kurti fjalimin, duke thënë se “31 vjet më vonë shumë gjëra kanë ndryshuar në botë por shumë pak këtu në Trepçë”.

Punishtet kanë mbetur ashtu si ishin, pa investime e pa mirëmbajtjen e duhur. Prodhimtaria është e mangët e minatorët janë rralluar e moshuar”.

Ai premtonte qe Qeveria e tij do të kujdesej për pasuritë publike.

“Trepça është thesar publik të cilin ne duam ta revitalizojmë dhe t’ia kthejmë shkëlqimin e saj”.

“Trepça ka nevojë për investime të jashtme e për qasje në tregje të huaja. Do të fillojmë me një plan të fizibilitetit për Trepçën për rritjen e prodhimit duke u mbështetur në alternativën më të arsyeshme ekonomike, teknologjike, sociale e mjedisore”.

“Trepça është edhe krenari edhe shans për Kosovën, kurse minatorët, populli e Qeveria do t’i kenë gjithmonë në zemër”, deklaronte Kurti para minatorëve, shkruan Gazeta Sinjali.

Por, sot 3 vjet nga kjo vizitë në Trepçë – gjendja atje nuk ka ndryshuar – siç premtonte kryeministri Albin Kurti.

Madje për shkak të kushteve jo të mira, dhe pagave jo të rregullta, tash e nëntë ditë minatorët e Trepçës së Stantërgut janë në grevë dhe gjendja e tyre nuk raportohet e qëndrueshme.

Por, pavarësisht kësaj – i pari i ekzekutivit s’e ka marrë mundin t’i takojë minatorët si dikur dhe të ju premtojë se do të merret me kërkesat e tyre – ashtu së paku siç ishte zotuar tri vjet më parë për investime dhe kushte më të mira të punës për ta.

TË FUNDIT

TË FUNDIT