Një rast që ka tronditur opinionin publik ka marrë epilog gjyqësor. Gjykata Themelore në Pejë – dega në Istog, ka shpallur fajtor mjekun Xhevat Avdijaj, internist në QKMF Istog, për veprën penale mosdhënia e ndihmës mjekësore.
Si ndodhi rasti?
Më 9 shkurt 2021, rreth orës 14:55, në QKMF Istog, një paciente që pak muaj më herët ishte operuar në zemër, kishte kërkuar ndihmë emergjente pasi nuk ndihej mirë. E shoqëruar nga familjarët, ajo iu drejtua zyrës së doktorit Avdijaj.
Fillimisht, infermieret i bënë një EKG, por kur familjarët ia dërguan rezultatet mjekut, ai i hodhi në shportë dhe, sipas aktgjykimit, u shpreh me fjalë fyese e ofenduese:
“Jo nuk ta kqyri, s’ta kqyri nanën kurvë që e ki, ta q… nanën.”
Edhe pse familja iu lut që ta kontrollonte, duke i treguar gjendjen kritike dhe historinë mjekësore të pacientes, doktori e refuzoi me arsyetimin se i kishte përfunduar orari i punës.
Pasojat
Refuzimi i ndihmës dhe ofendimi i rëndë u konsideruan nga gjykata si shkelje e betimit të Hipokratit dhe si veprim që mund të rezultonte me pasoja fatale për shëndetin dhe jetën e pacientes.
Në vendimin e saj, gjykata thekson se një mjek, pavarësisht orarit të punës, është i detyruar ligjërisht dhe etikisht të japë ndihmë mjekësore, veçanërisht kur pacienti është me sëmundje kronike dhe në gjendje emergjente.
Vendimi i gjykatës
Më 4 qershor 2025, Gjykata shpalli aktgjykimin: • 3 muaj burgim me kusht (nuk ekzekutohet nëse brenda një viti nuk kryen vepër tjetër penale). • Obligim për të paguar shpenzimet procedurale dhe tarifat gjyqësore. • Palës së dëmtuar iu la e hapur mundësia që kërkesën për kompensim ta ndjekë në procedurë civile.
Një rast që ngre pikëpyetje serioze
Ky rast ka ndezur debat të gjerë mbi etikën profesionale në shëndetësi, sidomos për faktin se bëhet fjalë për një mjek me mbi 30 vite përvojë pune. Nga njëra anë, pacientja dhe familja e saj pretenduan se u refuzuan dhe u ofenduan rëndë në një moment kritik. Nga ana tjetër, doktori në mbrojtje tha se pacientja nuk ishte rast urgjent dhe se ishte provokuar nga familjarët.
Gjykata megjithatë e gjeti fajtor, duke vendosur një precedent të qartë: refuzimi i ndihmës mjekësore është vepër penale, pavarësisht orarit të punës apo rrethanave të tjera.
Ky rast nuk është thjesht një histori personale mes një mjeku dhe një pacienteje. Ai ngre pyetjen më të madhe: sa të sigurt janë qytetarët që do të marrin ndihmë në momentet kur u rrezikohet jeta?/Sinjali