Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) mbajti konferencë për media me temën “Shtrenjtimi i energjisë elektrike sjell krizë në sektorin privat; Ndikimi në konkurrueshmërinë e bizneseve dhe kërkesat për veprim institucional”.
Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, shprehu shqetësimin e thellë për ndikimin që ka dalja në tregun e lirë të energjisë dhe rritja e çmimit të energjisë elektrike për bizneset vendore.
Ai kërkoi që së paku për një vit të pezullohet vendimi për daljen në tregun e lirë të energjisë dhe rritjen e çmimit të energjisë, pasi që, sipas tij, shumë biznese janë duke shkuar drejt falimentimit.
“Bizneset kanë filluar të marrin ofertat e para dhe ato që kanë marrë janë 200 për qind më shtrenjtë se çmimi i energjisë elektrike që kanë marrë deri sot. Bizneset do të shkojnë drejt falimentimit si rezultat i çmimit të energjisë elektrike, sepse nuk kanë mundësi të ekzistojnë me këtë çmim të energjisë elektrike që po ofrohet nga ana e furnizuesve të licencuar. Ne edhe pranë qeverisë dhe ZRRE-së kemi ngritur shqetësimet dhe kemi kërkuar që dalja në tregun e lirë të energjisë të shtyhet dhe rritja prej 16 për qind të suspendohet. Ka mekanizma që qeveria ta subvencionojë ose të ndihmojë biznesin të kalojë sa më lehtë këtë periudhë të mosdaljes në tregun e lirë të energjisë ”, tha Rafuna.