Moti gjatë javës së ardhshme pritet të jetë stabil dhe me temperaturë tipike pranverore, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës. Përjashtim bën dita e martë, kur parashihet që të jetë me vranësira e vende-vende me riga shiu, të cilat pritet të jenë më intesitet të ulët.
Gjatë javës së ardhshme, mëngjeset pritet të jenë të ftohta e me ngrica të dobëta si dhe me mjegull në disa zona malore.
Të hënën, moti pritet të jetë i vranët dhe me intervale me diell. Temperatura minimale mund të zbresë deri në -4 gradë celsius, derisa maksimalja pritet të arrijë deri në 13 gradë celsius.
Ndërkohë të martën pritet të jetë mot i vranët e vende-vende me riga shiu. Megjithatë, temperatura minimale parashihet të zbresë jo më shumë se deri në -1 gradë celsius. Maksimalja pritet të arrijë deri në 13 gradë celsius.
Edhe të mërkurën pritet të jetë mot i vranët, por me intervale me diell. Minimalja pritet të jetë deri në -2 gradë celsius ndërsa maksimalja pritet të shkoj në 9 gradë.
Të enjten po ashtu pritet mot kryesisht i vranët. Minimalja parashihet të zbresë deri në -3 gradë celsius ndërsa maksimalja pritet të arrijë në 1 gradë celsius.
Mot kryesisht me diell pritet të jetë të premten apo dita më e ngrohtë e javës, maksimalja pritet të jetë deri në 14 gradë celsius. Ndërkohë, minimalja sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, pritet të sillet nga -1 deri në 2 gradë celsius.



