Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka vlerësuar se qasja e ministrit aktual, Arben Vitia, nuk ka sjellë rezultatet e pritura, pavarësisht mbështetjes së madhe parlamentare që ka pasur nga partia në pushtet.
Ai konsideron se fokusi ka qenë më shumë në improvizime ligjore sesa në zbatimin e ligjeve ekzistuese, të cilat ishin pjesë e një reforme të menduar mirë për sistemin shëndetësor.
“Sa i përket punës së ministrit aktual, duhet thënë se qasja e tij nuk ka sjellë rezultatet e pritura kur të kemi parasysh mbështetjen e madhe parlamentare nga partia që ishte në pushtet, sepse është fokusuar më shumë në improvizime ligjore sesa në zbatimin e ligjeve ekzistuese që ishin pjesë e reformës mirë të menduar sistemore të shëndetësisë”, tha ish- ministri Agani
Agani e sheh legjislacionin aktual si plotësisht të mjaftueshëm për nisjen e reformave, por thekson se ka munguar vendosmëria për zbatim, duke sjellë në vend të progresit një sërë paqartësish.
Si shembull të mungesës së vizionit, ai përmend edhe mos themelimin e Odës së Psikologëve Klinikë, duke lënë të parregulluar një sektor të rëndësishëm të shëndetit mendor.
“Legjislacioni në fuqi ka qenë dhe është plotësisht i mjaftueshëm për të filluar reformat e nevojshme, por ka munguar vendosmëria për ta zbatuar. Kjo ka bërë që, në vend të progresit të qëndrueshëm, të kemi improvizime që krijojnë edhe më shumë paqartësi”, deklaroi Agani për FrontOnline.
Sipas tij, gjendja e shëndetësisë në Kosovë është shqetësuese, pasi edhe pas më shumë se një dekade nga miratimi i Ligjit për Sigurim Shëndetësor, sistemi publik i sigurimit ende nuk është funksionalizuar.
“Gjendja aktuale e shëndetësisë në Kosovë është shqetësuese, dhe këtë e dëshmon edhe fakti se, edhe pas më shumë se një dekade nga miratimi i Ligjit për Sigurim Shëndetësor, ende nuk kemi arritur ta funksionalizojmë sistemin e sigurimit publik shëndetësor”, thotë ish ministri.
Mungesat e barnave esenciale të raportuara ditëve të fundit, ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani thotë se janë pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së menaxhimit strategjik dhe dështimit të një sistemi efikas furnizimi.
“Mungesat e barnave esenciale që po raportohen janë simptomë e drejtpërdrejtë e mungesës së menaxhimit strategjik dhe të një sistemi efikas furnizimi. Në një sistem shëndetësor të mirë organizuar, furnizimi me barna esenciale është funksioni më bazik dhe nuk duhet të dështojë.”, u shpreh Agani
Sipas tij, hapat e parë duhet të përfshijnë zbatimin e menjëhershëm të Ligjit për Sigurim Shëndetësor, operacionalizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore si institucion të pavarur blerës të shërbimeve, shndërrimin e SHSKUK në ndërmarrje publike qendrore dhe zhvillimin paralel të sistemit të informatizuar shëndetësor.
“• Zbatimi i plotë dhe i menjëhershëm i Ligjit për Sigurim Shëndetësor.
Operacionalizimi i FSSH si institucion i pavarur blerës i shërbimeve.
Kontraktimi urgjent i studimit të fizibilitetit për shndërrimin e SHSKUK në ndërmarrje publike qendrore, në përputhje me ligjin.
Zhvillimi paralel i sistemit të informatizuar të shëndetësisë, si hallkë kyçe për menaxhimin e barnave, buxhetit dhe shërbimeve”, u shpreh ai.
Një tjetër sfidë e madhe, sipas ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, është mungesa e stafit shëndetësor, veçanërisht e anesteziologëve, e cila është rënduar nga largimi i profesionistëve në sektorin privat dhe jashtë vendit.
Ai vlerëson se kjo kërkon një qasje të kombinuar që përfshin rritjen e pagave, përmirësimin e kushteve të punës, kthimin e kuadrove nga diaspora dhe planifikimin afatgjatë për rritjen e numrit të specialistëve në fushat kritike përmes bursave dhe trajnimeve të kontraktuara.
“Një tjetër sfidë madhore është mungesa e stafit shëndetësor, veçanërisht e anesteziologëve. Për ta ndalur këtë trend, duhet një politikë e kombinuar: rritje të pagave dhe përmirësim i kushteve të punës”, deklaroi Agani për FrontOnline.
Në përfundim, Agani shpreh bindjen se vetëm një qasje e vendosur dhe e mbështetur në legjislacionin reformues mund t’i japë fund krizave të përsëritura dhe të krijojë kushte për një të ardhme më të mirë të shëndetësisë kosovare.
“Vetëm një qasje e tillë, e vendosur dhe e mbështetur në legjislacionin reformues, mund t’i japë fund krizave të përsëritura dhe të krijojë kushtet për një të ardhme më të ndritur shëndetësisë kosovare”, tha Agani